Zaev dhe Rama: Ne jemi Evropë, pa marrë parasysh nëse BE-ja do të arrijë të largojë bllokadat ose jo!

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, sot, në margjinat e Forumit të Parë Ekonomik në Shkup, kishin deklaratë të përbashkët për shtyp në të cilën e prezantuan qëndrimin e përbashkët për vendimin e Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së të mos miratojë kornizë negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në vazhdim ua përcjellim deklaratën e përbashkët për shtyp, të cilën e prezantoi Kryeministri Zaev në tërësi:

“Jemi këtu me mikun tim, kolegun, shokun, vëllain. Kemi deklaratë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama.

Sot Evropa ka problem. Ideja e madhe vizionare për Evropë të bashkuar sot ka problem, ndërsa problemi është vetë Bashkimi Evropian. Brukseli  na tha se BE-ja nuk po arrin të gjejë një mënyrë për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor. Ky është ky një problem. Fakti që 26 shtete anëtare të BE-së nuk arrijnë të parandalojnë bllokimin e një shteti anëtar është një problem i Evropës i shkaktuar nga vetë BE-ja.

Por, ne nuk jemi vetëm dhe nuk do të jemi vetëm, as të izoluar.

Populli ynë, populli maqedonas dhe shqiptar para vetes kanë rrugë të njëjtë. Kemi vizion të njëjtë, vlera të njëjta – ato janë vlerat evropiane dhe jo politikat e mureve dhe ndarjeve.

Ne nuk ndalemi dhe  e di se në këtë rrugë me ne janë edhe Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina.

Ne jemi Evropë, pa marrë parasysh nëse BE-ja do të arrijë të largojë bllokadat ose jo.

Popujt tanë dhe qeveritë, në mes të Ballkanit, demonstrojnë sjellje evropiane - ne po heqim me shpejtësi pengesat dhe kufijtë mes nesh, në mënyrë që qytetarët, shërbimet dhe mallrat tona të lëvizin lirshëm. Ne kemi ide, sfida dhe kultura të përbashkëta me popujt tanë vëllezër nga rajoni.

Dhe jemi këtu me Kryeministrin Rama të paralajmërojmë se do t’i afrojmë popujt edhe më shumë.

Kemi mesazhe edhe për qytetarët tanë, për qytetarët evropianë, për politikanët vendas dhe evropianë - alarmi është i ndezur, thelbi dhe vlerat e Bashkimit Evropian janë në pikëpyetje.

Vlerat evropiane janë të përbashkëta për vendet e BE-së, por edhe për vendet kandidate që i kanë pranuar dhe zhvilluar ato.
 
Dhe ja sot, këto vlera janë afirmuar nga Ballkani Perëndimor: Inkluziviteti, mobiliteti, toleranca, drejtësia, solidariteti.

Duhet ta dinë të gjithë në Bashkimin Evropian, cilat vlera i kanë pranuar dhe promovuar si një pjesë integrale e mënyrës evropiane të jetës, nuk duhet ta dinë se askush dhe asnjë akt nuk duhet të vë në dyshim dinjitetin njerëzor, barazinë dhe solidaritetin, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut.
 
Javën e kaluar, delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe unë u nisëm për në Sofje me zemër të hapur dhe dorë të shtruar për ndihmë për një zgjidhje dhe me gatishmëri për të hedhur një hap në një drejtim pozitiv me Republikën e Bullgarisë.

Më herët në Sofje ishte edhe Kryeministri Rama.

Megjithëse kemi bërë një hap të përbashkët pozitiv, fatkeqësisht, përkundër mesazheve të qarta nga e gjithë komuniteti ndërkombëtar që tani është koha për të gjetur një forcë të madhe, homologët tanë bullgarë nuk arritën të mblidhnin forcën e mjaftueshme për të miratuar fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Pavarësisht sa të vetëdijshëm dhe të përmbajtur ishim në pritshmëritë, vendimi i BE-së për të mos caktuar konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është ende një zhgënjim i madh, por gjithashtu një dështim i madh i politikës së zgjerimit të BE-së dhe një mesazh i keq për të gjithë rajonin.

Vota e Bullgarisë për të mos miratuar kornizën negociuese, përball qëndrimit unanim të të gjitha 26 vendeve të tjera anëtare, nuk është në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
 
Pozicioni ynë është i qartë: ne besojmë se integrimi evropian nuk duhet të mbetet peng i çështjeve bilaterale. Bisedimet me BE-në nuk duhet të kthehen në bisedime me Bullgarinë. Përparimi ynë në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme në lidhje me kapitujt, legjislacionin e BE-së dhe arritjen e standardeve evropiane.

Prandaj konsiderojmë se në bisedime ose në korniza nuk duhet të vendosen çështjet bilaterale. Ky është një precedent i rrezikshëm dhe është një qëndrim i ndarë nga të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së.
 
Identiteti kombëtar maqedonas është thjesht e pamundur të jetë lëndë e bisedimeve.

Treguam guxim dhe vullnet të sinqertë për të zgjidhur marrëdhëniet dypalëshe përmes respektit të ndërsjellë dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar.
 
Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e plotfuqishme e Aleancës së NATO-s dhe u ul në tryezë me vendet më të fuqishme në krye me SHBA-të.

Sot ne jemi edhe partnerë të NATO-s me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë dhe Greqinë, por edhe me të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s.
 
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, EVROPA mbetet alternativa e vcetme dhe qëllimi nacional strategjik, për të cilin po bëjmë përpjekje të sinqerta. Për ne, vlerat evropiane janë të shenjta, pa marrë parasysh sa vetë BE-ja nuk arrin t'i mbrojë ato. BE-ja nuk ka ekskluzivitet mbi Evropën.
Prandaj ne, përmes "Aksion 2021" dhe përmes "Evropës në vend", po zbatojmë seriozisht vlerat evropiane në vend. Vazhdojmë edhe më tej në rrugën e reformës. Dhe fuqishëm qëndrojmë të vendosur në pozicionin që BE-ja na e ka borxh mbajtjen e premtimit. Ne gjithashtu kemi nevojë për evropeizimin e përshpejtuar përmes procesit të hapjes së kapitujve të bisedimeve.

Liderët evropian duhet ta marrin seriozisht faktin se zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme u hapin derën atyre dhe inkurajojnë euroskeptikët. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të gjejë një formulë për të mbajtur fjalën e saj dhe për të vazhduar zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.
 
Ne akoma po i japim një shans procesit dhe mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit tonë strategjik - anëtarësimi në BE dhe zbatimi i plotë i vlerave dhe standardeve evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë.

Kam edhe një mesazh tjetër. Ata që më njohin mirë e dinë që unë nuk dorëzohem. Dhe ata që nuk më njohin, le ta dinë që unë nuk dorëzohem. Unë do të shkoj në Sofje përsëri, dhe përsëri, dhe përsëri ... dhe do të kërkoj zgjidhje.
 
Dhe ne do të kemi sukses në atë qëllim! Maqedonia e Veriut është Evropë. Shqipëria është Evropë. Ballkani është Evropë. Faleminderit".

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, përveç deklaratës së përbashkët të dy kryeministrave, nga ana e tij theksoi:

 "Rastësia na solli, në të njëjtën ditë kur duhej të diskutojmë për atë që nuk ndodhi në Bruksel, të jemi këtu në një forum të rëndësishëm ekonomik Unë besoj se kjo është një mundësi për të thënë, çfarëdo që ndodh ose nuk do të ndodh në Bruksel, ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë me të gjitha forcat tona për të rritur ekonominë, për të rritur prosperitetin, për të rritur krenarinë dhe fuqinë e dinjitetit të popujve tanë .
 
Bashkimi Evropian mund të përcaktojë detyra për integrim, mund të përcaktojë afate për këto detyra, mund të caktojë data. Por, BE-ja nuk mund të përcaktojë as vendndodhjen tonë në mes të Evropës, as kulturën tonë dhe identitetin tonë evropian, as të ardhmen e popujve tanë si kombe evropiane në familjen evropiane, në vende evropiane, me standarde politike, institucionale, ekonomike evropiane.

Shqipëria e bëri zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe e konfirmoi përsëri zgjedhjen e saj që epoka e rilindjes kombëtare. Për shqiptarët, dielli lind atje ku perëndon dhe e ardhmja jonë është ajo ku Zoti na ka caktuar që të kemi vendin tonë, në zemër të Evropës.
 
Për mua, në fakt, në këtë pikë kemi një dallim jo-problematik me Zoranin, sepse, për mua, asgjë tjetër nuk ndodhi, përveç se BE-ja nuk arriti ta mbajë premtimin e saj, të mbetet e përkushtuar në angazhim dhe të jetë në qëndrimin e duhur.
 
Jeta vazhdon dhe avancimi do të vazhdojë me të gjitha forcat e saj, sepse nuk imponohet nga jashtë, por imponohet brenda nga ne.
 
 Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme për të ecur para pa rezerva, sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe nëse nuk mund të ndryshojmë mënyrën e funksionimit të BE-së në lidhje me ne, ne mund të ndryshojmë mënyrën se si funksionojmë ndaj njëri tjetrit. Dhe shkrirja e kufijve mes nesh është që rajoni ynë të kthehet në një hapësirë për zbatimin e plotë të katër lirive të BE-së: liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së shërbimeve dhe kapitalit.

Dhe kjo do të vazhdojë pa u ndalur, sepse ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta që duke mbetur të ndarë nga njëri-tjetri, dhe përndryshe ne jemi mjaft të mëdhenj nëse e kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomike”.