Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot u takua me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (KB-së) për çështje politike, Mirosllav Jença, i cili, me ftesë të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, merr pjesë në Prespa Forum Dialog, që këto dy ditë mbahet në Ohër.
Kryeministri Zaev në takim e potencoi përkushtimin e vendit tonë në zgjidhjen e sfidave shumëplanëshe globale dhe shprehu mbështetje të fortë për procesin e reformës të filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh, fokusi i të cilit është në parandalimin e konfliktit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reforma për një organizim të fortë dhe efektiv të Kombeve të Bashkuara
Kombet e Bashkuara, tha në takim Kryeministri Zaev, kanë qenë gjithmonë me ne dhe mbështesin Republikën e Maqedonisë së Veriut në të gjitha fazat e zhvillimit të saj dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe vendosjen e vendit në korniza ndërkombëtare dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë.
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i KB-së për çështje politike Mirosllav Jença në takim shprehu kënaqësinë për mundësinë për të vizituar vendin tonë dhe për të marrë pjesë në dialogun e Forumit të Prespës që mbahet si frymëzim nga Marrëveshja e Prespës, e cila është një konfirmim historik se sa shumë mund të arrihet me vullnet politik dhe guxim.
Kryeministri Zaev dhe ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i KB-së për Çështjet Politike Jença vlerësuan se Marrëveshja e Prespës është një mesazh global i paqes dhe se KB-ja dhe Sekretari i Përgjithshëm Guteresh e kanë theksuar këtë vazhdimisht si një nga shembujt e paktë pozitiv sot.
Gjatë bisedës, Kryeministri Zaev shprehu besimin se bashkëpunimi me KB-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të ofrojë mbështetje të mëtejshme për qëllimet tona të zhvillimit në lidhje me aspiratat tona për në BE dhe kontributin autentik të Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e konflikteve, paqes, kohezionit të brendshëm, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të besimit, të arritura përmes tre marrëveshjeve: Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë.