Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot në Ohër u takua me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Kryeministri Zaev në takim u falënderua që kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija e pranoi ftesën për të marrë pjesë në “Prespa Forumin për Dialog” me të cilën edhe njëherë konfirmohen marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve bazuar në miqësi të hapur, mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë për interesat e përbashkëta.
Dy bashkëbiseduesit në takim shkëmbyen përvoja dhe informacione për ballafaqim me krizën me COVID-19, me fokus në imunizimin dhe programet për mbështetjen e qytetarëve për zbutjen e pasojave socio-ekonomike nga pandemia.
Në këtë drejtim Zaev dhe Tegeltija u pajtuan se është e patjetërsueshme që sa më shpejtë Brukseli të sigurojë qasjen e premtuar deri në fonde shtesë të BE-së të dedikuara, mes tjerash, edhe për mbështetje të programeve për ballafaqim me korona krizën.
Në takim u theksua angazhimi i përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal me qëllim përmirësimin e standardit jetësor të popujve në rajon.
Maqedonia e Veriut i mbështet aspiratat evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe është e hapur për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në atë plan dhe në atë kontekst, politikat e pritjes së BE-së duhet të ndalen.
Dy vendet, theksuan Zaev dhe Tegeltija, janë tradicionalisht të ndërlidhura edhe përmes afërsisë së popujve, ndërsa boshnjakët, si pjesë vitale e shoqërisë në Maqedoninë e Veriut, janë zinxhir i fortë në ndërlidhjen me Bosnjën dhe Hercegovinën.