Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, realizoi një vizitë pune në kompaninë Alkaloid Shkup, ku u takua me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv dhe kryetarin e Bordit drejtues, Zhivko Mukaetov, i cili prezantoi historinë dhe planet e zhvillimit të kompanisë dhe bashkërisht vizituan disa nga repartet prodhuese.
Zëvendëskryeministri Bytyqi uroi për jubileun - 85 vjet nga ekzistimi i Alkaloidit, duke theksuar se suksesi i kompanive vendase është një sukses për të gjithë vendin. Kompanitë, me produktet e tyre janë përfaqësuese të vendit në tregjet ndërkombëtare dhe sa më e madhe të jetë gama e produkteve dhe cilësia e tyre, aq më shumë Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet një vend i njohur për klimë të mirë biznesi dhe vend konkurrues për realizimin e investimeve të reja, të kompanive vendase dhe të huaja.
“Mbijetesa në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare për 85 vjet është vërtet një sukses dhe ai sukses nuk do të ishte i mundur nëse Alkaloidi nuk ndjek trendet botërore në industrinë farmaceutike dhe investon vazhdimisht në zhvillimin teknologjik, tek të punësuarit e tij dhe krijimin e produkteve të reja cilësore, gjë që rrit vëllimin e prodhimit dhe të ardhurat. Ne, si Qeveri, jemi të lumtur kur kemi mundësinë të mbështesim planet e zhvillimit të kompanive, kemi shumë mekanizma me të cilët e bëjmë atë, sepse e dimë që do të sjellë përfitime jo vetëm për atë kompani konkrete, por edhe për të punësuarit e saj, për punësime të reja, në përgjithësi për të gjithë ekonominë. Kompania Alkaloid ka lidh një marrëveshje me Qeverinë përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve në vitin 2018, me të cilin parashihet një cikël pesëvjeçar të investimeve dhe për tre vjet tashmë janë investuar 23,4 milionë euro, dhe si mbështetje nga Qeveria, për masat e marrëveshjes, për tre vjet janë paguar në mënyrë kumulative 3,58 milionë euro. Çdo kompani që investon në zhvillimin e prodhimit dhe të punësuarve mund të shfrytëzojë mbështetjen e Qeverisë përmes Ligjit”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi në një takim me drejtorin e përgjithshëm të Alkaloidit, Zhivko Mukaetov.
Nga Alkaloidi informuan se ata janë të përkushtuar për rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të kompanisë, si në tregjet e brendshme ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Investimet në linjat e reja të prodhimit nuk u ndalën as në periudhën e pandemisë, janë investuar mbi 11 milionë euro në kompletimin e departamentit “Paketimi i formave të ngurta”, me linja të reja në një sipërfaqe prej 7.000m2, me çka u mundësua rritja e kapaciteteve të prodhimit me rreth 50%, gjegjësisht nga kapaciteti i mëparshëm prej 2 miliardë tabletash dhe kapsulash në vit, në më shumë se 3 miliardë copë forma të ngurta farmaceutike.
Në bisedë me zëvendëskryeministrin Bytyqi, Mukaetov theksoi se kompania aktualisht i shet produktet e saj në mbi 40 tregje, kurse në vitin 2020 u arrit një fitim prej rreth 19 milionë euro, që është rreth 15% më shumë se në vitin 2019, gjithashtu numri i të punësuarve në vitin 2020 është rritur për 210 persona. Alkaloidi vazhdoi zhvillimin e tij edhe në vitin 2021, ku në gjysmën e parë të vitit tashmë janë realizuar 58 punësime të reja dhe ka një rritje dyshifrore, në përqindje, të fitimit krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2020.