Në intervistën për emisionin “Konflikt Zona”, Kryeministri Zoran Zaev foli edhe për rezultatin e regjistrimit paraprak, për të cilin shprehu besim se do të jetë i saktë dhe i suksesshëm dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë mbi të drejtat e qytetarëve të pakicave etnike.
“Në muajin prill e shtymë regjistrimin në minutën e fundit me kërkesë të opozitës, e cila e vendosi atë si kusht për të mbështetur regjistrimin. Regjistrimi do të mbahet në shtator. Ne jemi një nga vendet e rralla që nuk ka pasur regjistrim për më shumë se 20 vjet. Të drejtat e qytetarëve tanë nuk do të varen nga regjistrimi, sepse ekziston garanci kushtetuese që ka të bëj me pakicat tona dhe të drejtat e tyre. Të gjithë kanë të drejta të barabarta dhe përgjegjësi të barabarta, për të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë. "Projekti Një Shoqëri” është një projekt shumë i suksesshëm që mund të jetë shembull vërtet i mirë që vjen nga Maqedonia e Veriut", theksoi Kryeministri Zaev.
Ai theksoi se të drejtat e qytetarëve tanë të përkatësisë etnike shqiptare janë të garantuara me Kushtetutë, ashtu siç janë të garantuara të drejtat e maqedonasve ose grupeve më të vogla etnike.
“Të drejtat e qytetarëve tanë nuk varen nga numri, pasi që të drejtat janë të garantuara me Kushtetutë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte diçka që zgjidhi problemin midis qytetarëve të përkatësive dhe feve të ndryshme. Këto ditë shënojmë përvjetorin e njëzetë të nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje dhe tani të gjitha partitë politike luftojnë për të drejtat e qytetarëve, jo për të drejtat e bashkësive etnike", tha Kryeministri Zaev në intervistën për emisionin "Konflikt Zona” të “Dojçe Veles”.