Zaev për "Tanjug": "Ballkani i hapur" është sepse së bashku mund të bëjmë shumë dhe pres që Prishtina, Sarajeva dhe Podgorica të bashkohen së shpejti

“Ballkani më nuk është një bombë e kurdisur, por simbol i miqësisë, ndërkaq iniciativa rajonale “Ballkani të  Hapur”, krijon mundësi për jetë më të mirë të qytetarëve në të gjitha vendet e rajonit,” tha Kryeministri Zoran Zaev në intervistën për agjencinë serbe “Tanjug”.

Zaev theksoi se kur e thotë këtë i përcjell edhe mendimet e Kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të  Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe shton se në periudhën e ardhshme edhe përkundë reagimeve të përmbajtura ose negative që vijnë nga Prishtina, Sarajeva dhe Podgorica në lidhje me “Ballkanin e Hapur”, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi do ti bashkëngjiten iniciativës  për shkak se të gjitha hulumtimet tregojnë se qytetarët e këtyre vendeve shikojnë në mënyrë pozitive në potencialin dhe përfitimet që sjell bashkëpunimi rajonal dhe kufijtë e hapur.

"E vetmja mënyrë që ne mund të përmirësojmë jetën në rajon është të sjellim atë që qytetarët e kanë në Gjermani, Francë, Austri, Itali, Zvicër këtu në rajon. Për ta bërë  edhe rajonin tonë një treg të lidhur dhe të përbashkët dhe të hapur. Ndryshe nga e kaluara kur mbizotëronte armiqësia politike, grindjet, problemet, tani të gjithë së bashku në Ballkanin e Hapur ne po punojmë për integrimin e rajonit në BE duke përshpejtuar procesin e një jete më të mirë evropiane, për qytetarët", tha Kryeministri Zaev në një intervistë me Tanjug.