Kultura europiane
Qeveria e sheh kulturën si çelës të transformimit të shoqërisë sonë: ndryshimin e vetëdijes, shprehitë, nevojat, sjelljen e të gjithë qytetarëve. Parimet dhe vlerat për të cilat ne insistojmë në këtë program janë vlerat kryesore europiane: kujdesi për identitetet individuale dhe kolektive, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, multikulturalizmi, kujdesi për qytetarët e kategorive të ndryshme dhe më të prekshëm, dialogu ndërkulturor, decentralizimi, pjesëmarrja dhe kultura demokratike.
Qeveria do të promovojë politika për respekt të ndërsjellë dhe shfaqje të dallimeve nga përkatësia etnike dhe kulturore si përparësi të shoqërisë sonë. Sipas kësaj do të ndiqet një politikë e ekuilibruar për të zhvilluar programe dhe institucione ekzistuese dhe/ ose të reja për promovimin e vlerave kulturore të të gjitha bashkësive etnike në vendin tonë.
Në njëzetvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe në emër të kohezionit të brendshëm, më 13 gusht do të shpallet Dita e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe e njëjta do të shënohet nën kujdesin e Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive.
Qëllimi i Qeverisë do të jetë zhvillimi i kulturës në të gjitha segmentet e saj. Për të forcuar institucionet në aspektin e personelit, infrastrukturës, teknikës dhe programit. Për të përmirësuar kushtet e punës në sektorin jo institucional dhe për të krijuar praktika bashkëpunimi dhe sinergjie midis tyre. Ta çojmë përpara statusin shoqëror të punonjësve dhe ta valorizojmë punën autoriale të të gjithë atyre që merren me kulturë. Të tërheqim më shumë publik dhe të mundësojmë që sa më shumë qytetarë të marrin pjesë në aktivitete kulturore. Njëkohësisht, në pajtim me trendet europiane, parashikojmë masa të cilat do të përdorin potencialin e kulturës për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë, veçanërisht në nivel lokal. Do të forcojmë praninë e aftësive krijuese dhe kritike në procesin arsimor, por edhe në zhvillimin e bizneseve të reja dhe inovative.
Trashëgimia kulturore do të luajë një rol kyç në politikat tona. Ajo e forcon ndjenjën e përkatësisë, të ndarjes së vlerave dhe traditave të përbashkëta. Ne përfaqësojmë idenë europiane që trashëgimia kulturore është një burim i përbashkët, i cili rrit ndërgjegjen për historinë tonë të përbashkët, e cila na bashkon si qytetarë, por gjithashtu na legjitimon përpara familjes së shteteve europiane, duke kontribuar në mënyrë aktive në identitetin e përgjithshëm europian.
- Do të futet sistem për financim të detyrueshëm të monumenteve nga lista e monumenteve me interes kombëtar, sipas parimit të kategorisë sipas vlerës dhe shkallës së rrezikut. Lista do të jetë e hapur dhe do të mund të shkruhen në vazhdimësi monumentet e reja nga trashëgimia reale, e luajtshme dhe e paluajtshme.
- Do ta rrisim numrin e kuadrit profesional në qendrat konservatore.
- Do të kontrollojmë dhe fshijmë nga regjistri të gjitha monumentet dhe objektet e regjistruara në mënyrë të paligjshme nga të ashtuquajturat projekti “Shkupi 2014”, i cili për nga natyra e tij nuk mund të jetë trashëgimi kulturore.
- Do të mbështesim zhvillimin e industrive kulturore dhe kreative (krijuese) në lidhje me produktet e kulturës tradicionale duke përfshirë organizata folklorike amatore që ushqejnë krijimtarinë tradicionale.
- Do të shpallim konkurs ndërkombëtar për rivitalizimin e zonës në qendër të kryeqytetit pas dëmit të shkaktuar nga “Shkupi 2014”. Si një antipod, ky konkurs do të jetë pjesë e aplikimit të Qytetit të Shkupit për programin më të madh kulturor në Bashkimin Europian, kryeqytetin europian të kulturës.
Zhvillimi i nevojave kulturore, pjesëmarrja në aktivitete artistike dhe kulturore, përjetimi i kulturës çon në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies së secilit individ. Prandaj, ne do të mbështesim krijimin e një kinemaje të lëvizshme, dy herë në vit do të organizojmë “Muzeun 24/2” - 24 orë gjatë fundjavës hyrja në të gjitha muzetë do të jetë falas (e premte nga ora 18 deri 24, e shtunë nga ora 12 deri 24 dhe të dielën nga ora 10 deri 16), bibliotekat do të rirregullojnë hapësirat e tyre për një qëndrim më të rehatshëm për lexuesit, do të organizojnë aktivitete për lexuesit, siç janë promovimet, klubet e debatit, punëtoritë e leximit, do t'i rrisim dotacionet financiare për programe dhe projekte që kontribuojnë në forcimin e bashkësive lokale nëpërmjet mbështetjes së festivaleve lokale, ngjarjeve të rëndësishme, përvjetorëve, të gjitha me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë jo materiale të zonave rurale dhe të pazhvilluara.
Nëpërmjet Ministrisë së Kulturës do të mbështesim krijimtarinë letrare të autorëve të rinj, duke vendosur masa të veçanta stimuluese. Do të shpallim konkurs të veçantë për publikimin e së paku 10 titujve të rinj për fëmijë dhe adoleshentë. Do të jepet mbështetje në përkthim dhe në literaturën e përkthyer, theks të veçantë do t’i jepet cilësisë së përkthimit dhe vlerësimin e duhur financiar të punës së përkthyesve letrarë, të cilët përkthejnë nga gjuha origjinale. Ministria e Kulturës do ta përforcojë sistemin e mbrojtjes së gjuhës maqedonase dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare.
Duke i shfrytëzuar praktikat dhe përvojat europiane, do të krijojmë kushte për financa të larmishme në kulturë. Nëpërmjet sistemit të lehtësimit të taksave, do ta nxisim donacionin, sponsorimin, patronazhimin dhe forma të tjera financiare. Qeveria do t’i nxis partnerët publik-privat-civil dhe do të propozojë kornizë juridike për shpërndarjen e “grant dotacioneve” për kulturë në të gjitha komunat, pavarësisht se a kanë ose jo institucione lokale. Mjetet për këto grante do të sigurohen sipas kritereve të caktuara me ligj, për shembull: varësisht nga numri i banorëve, numri i institucioneve, komunat rurale ose urbane e të tjerë. Do të sigurohen mekanizma të qëndrueshëm të bashkëfinancimit të pjesëmarrësve në programet dhe projekte të BE-së dhe bashkëpunime të tjera ndërkombëtare dhe rajonale në nivelin kombëtar dhe lokal.
Do të vazhdojmë me investime në infrastrukturën kulturore dhe në disa qytete do të formojmë qendra kulturore rinore, si institucione të specializuara, të cilat do t’i zhvillojnë nevojat kulturore të të rinjve, me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetës së tyre për t’i mbajtur ato në vend. Varësisht nga nevoja, ato do të jenë qendra multimediale, me hapësirë për më shumë funksione: sallë e kinemasë, skenë e teatrit, skenë e koncertit, sallon për ekspozim, sallë e birrilave, bufe ose hapësira për biznes kafeneje etj.
Qeveria do ta vazhdojë fazën e dytë të decentralizimit institucional, e cila duhet t’u sigurojë qytetarëve kushte më të mira në pajtim me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale. Që të tejkalohen dobësitë e fazës së parë të decentralizimit, do të bëjmë rritjen e bllok dotacioneve, që t’i mbulojnë të gjitha nevojat reale të institucionit lokal, mjete për mirëmbajtjen aktuale dhe materiale të institucioneve, për investime të reja dhe me qëllim të përmirësimit të gjendjes së objekteve dhe institucioneve lokale në kulturë dhe funksionimi i tyre dhe rregullisht do t’i miratojmë kërkesat për plotësimin e vendeve të lira të punës, si dhe për punësime të reja të nevojshme në institucionet lokale nga Ministria e Financave. Jetojmë në një shtet të zhvilluar në mënyrë të pabarabartë. Në kulturë do të punojmë për zhvillimin e barabartë kulturor, para së gjithash nëpërmjet politikave dhe instrumenteve të decentralizimit dhe demetropolizimit të kulturës.
Ekonomia kulturore mund të jetë burim i madh i të ardhurave dhe ta ulë ose parandalojë daljen e njerëzve nga bashkësitë lokale në kryeqytet dhe jashtë vendit. Ajo është edhe një forcë lëvizëse për zhvillimin e qëndrueshëm. Laramania jonë kulturore përfaqëson potencial të lartë për zhvillimin e kësaj ekonomie. Ne do të ndërmarrim një sërë masash për të ringjallur këtë përparësi të politikave bashkëkohore europiane.
- Do ta risim numrin e qendrave kreative dhe inkubatorë, në të cilat të rinjtë dhe kompanitë fillestare, shoqatat e qytetarëve, artistët e pavarur dhe frilenserët do t’i kenë të gjitha mundësitë të punojnë së bashku dhe të krijojnë së bashku.
- Do të japim ndihmë të përgjysmuar për shfrytëzimin maksimal të mekanizmit IPA për zhvillimin e industrisë kreative dhe kulturore. Do të mundësojmë trajnime dhe do të krijojmë linja për bashkëfinancim të projekteve në të, siç kemi bërë edhe për programet e tjera të BE-së si Europa Kreative.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta respektojë kontratën kolektive për të punësuarit në kulturë. Në mes të tjerash, kontrata rregullon kompensimin e shpenzimeve për bartjen nga dhe deri te vendi i punës në kushte specifike, po ashtu kompensime për shtesë terreni, kompensim të shpenzimeve për jetë të ndarë nga familja, kompensim të shpenzimeve për shfrytëzimin e automjetit personal për nevojat e punëdhënësit, kompensim të shpenzimeve për shpërngulje, kompensim gjatë daljes në pension dhe pagesë jubilare. Në bashkëpunim me sindikatat, do të hapim debat rreth të gjitha të drejtave të tjera të të punësuarve në kulturë, tipi i stazhit të beneficuar, punë të tjera shtesë nga jashtë nga Programi Vjetor i Punës së Institucioneve, liberalizimi i kushteve dhe i procedurave për artistët e pavarur dhe rregullat për shfrytëzimin e tipave të tjerë të përfitimeve si (kompensim me para, ndarje të hapësirës për punë ose për shpalljen e pjesëve pa kompensim, dhurimin ose huazimin e pajisjeve dhe instrumenteve pa kompensim dhe pajisje për pjesë të siguruara, instrumente).