Zëvendëskryeministri Bytyqi në një ngjarje me rastin e "Ditës së minatorëve" në REK Bitola (Manastir) - Pagat në sektorin e minierave janë 36.8% më të larta se mesatarja, po bëjmë përpjekje për zhvillimin e xehetarisë sipas standardeve më bashkëkohore bot

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, me ftesë të SHA Elektrana e Maqedonisë së Veriut, sot mori pjesë dhe foli në ngjarjen me rastin e "Ditës së minatorëve", e cila u mbajt në hapësirat e Kombinatit të minierës energjetike Bitola në Manastir. Përveç zëvendëskryeministrit Bytyqi, në këtë ngjarje folën edhe drejtori i përgjithshëm i EMV Vasko Kovaçevski dhe drejtori i REK Bitola Zlatko Qurçievski.

Zëvendëskryeministri Bytyqi ua uroi "Ditën e minatorëve" të gjithë minatorëve të punësuar në kombinatet e minierave energjetike në Manastir dhe Osllomej, si dhe në të gjitha minierat e tjera në vend, dhe tha se përpjekjet e Qeverisë janë që xehetaria të vazhdojë si degë në përputhje me me teknikat dhe teknologjitë më të mira që janë në dispozicion, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare që kemi nënshkruar për të përmbushur standardet botërore për kujdesin mjedisor, kushtet e punës dhe standardet e jetesës së minatorëve në vendin tonë.

“Dua të falënderoj minatorët në REK Bitola, në emër të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, për përkushtimin dhe përpjekjen që bëjnë për çdo ditë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë elektrike. Nuk thonë njerëzit së koti, se kur punojnë shumë, punoj si minator. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pavarësisht modernizimit dhe zhvillimit teknologjik të minierave, puna e minatorëve është vërtet e vështirë dhe sfiduese", tha zëvendëskryeministri.

Bytyqi iu referua gjendjes aktuale të minierave në Maqedoninë e Veriut, duke folur për pagat e të punësuarve në sektor, prodhimin dhe eksportet e kompanive që operojnë në këtë sektor.

“Më vjen mirë që paga mesatare neto e paguar në këtë sektor është duke u rritur. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave për pagën mesatare neto për periudhën janar-qershor të vitit 2021, në sektorin e minierave dhe guroreve ishte 39.324 denarë dhe ka rritje për 6,3% në krahasim me periudhën janar-qershor të vitit 2020, ndërsa kjo pagë është me 36,8% më të lartë krahasuar me pagën mesatare neto në nivel shtetëror, në vlerë prej 28.744 denarë. Minatorët, por edhe të gjithë qytetarët e tjerë, meritojnë më shumë. Ata meritojnë një pagë të mirë dhe kushte të mira pune. Prandaj shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithëve në sektorin e minierave që të respektojnë të punësuarit e tyre, sepse të punësuarit janë hallka kryesore e çdo kompanie. Dua të theksoj se sektori i minierave dhe guroreve ka një rritje serioze të eksporteve prej 24,8% në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjegjësisht u eksportuan produkte me vlerë rreth 100 milionë euro, gjë që tregon se edhe kjo degë po e merr veten nga pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit”, theksoi Bytyqi.

Ai foli edhe për zhvillimin e ardhshëm të xehetarisë, duke theksuar se Qeveria është e angazhuar seriozisht për të vënë në rrugën e duhur aktivitetet që zhvillohen në të gjithë sektorët, si dhe në xehetari, gjegjësisht menaxhimin e burimeve minerale.

"Në konsultime të gjera me opinionin akademik dhe profesional, organizatat e shoqërisë civile dhe ekonominë, Qeveria së fundmi miratoi një propozim për ndryshime në Ligjin për burimet minerale, i cili u dorëzua në Kuvend dhe që mundëson zhvillim të qëndrueshëm të minierave, me fokus të veçantë për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e një niveli të lartë të cilësisë së jetës së qytetarëve. Ndryshimet e fundit ligjore shtojnë më shumë arsye për përfundimin e njëanshëm të marrëveshjes së koncesionit për shfrytëzimin e burimeve minerale nga shteti, e cila shtrëngon kushtet e punës të koncesionarëve, dhe kështu tregon se ne ndjekim masat e fundit për mbrojtjen e mjedisit, por siç theksova, teknikat dhe teknologjitë më të mira që janë në dispozicion”, shpjegoi zëvendëskryeministri.

Në periudhën e ardhshme, investime të mëdha janë planifikuar në sektorin e energjisë, tha Bytyqi, me çka pritet të arrihet skenari i gjelbër i Strategjisë për Zhvillimin Energjetik deri në vitin 2040, gjegjësisht kalimin në burime më ekologjike të energjisë.

“Investimet totale që i parashikojmë në sektorin e energjisë me Planin e Ndërhyrjes për Investime deri në vitin 2027, parashikojnë investime prej 3,14 miliardë euro, kryesisht për termocentrale fotovoltaike dhe të erës, termocentrale e gazit, tubacionet e gazit dhe lidhjet e gazit, të cilat do të sigurojnë furnizim afatgjatë, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike, por edhe diversifikim në furnizimin me energji. Vetëm në Manastir, këtu në REK, planifikojmë të fillojmë me dy termocentrale fotovoltaike me një kapacitet të instaluar 10 megavat secila, për të cilat janë planifikuar investime prej rreth 18 milionë euro, si dhe një termocentral tjetër fotovoltaik prej 40 megavat. Për më tepër, përmes një partneriteti publik-privat, planifikojmë të ndërtojmë dy termocentrale të tjera fotovoltaike prej 50 megavat secila, dhe kemi një projeksion për një termocentral me gaz në REK Bitola prej 200 megavat. Vlera e investimit është 100 milionë euro, dhe nëse fillojmë me kohë me këtë projekt, menjëherë duam të azhurnojmë 200 megavat shtesë, si faza e dytë në planin e përgjithshëm për mbylljen e centraleve të qymyrit në periudhën 2028, 2029 , 2030, sipas indikacioneve evropiane. Në këtë mënyrë, ne do ta transformojmë Kombinatin e minierës energjetike në një burim më ekologjik dhe do t'i mbajmë të punësuarit në ndërmarrje. Përfundimi i të gjithë sistemit në këtë rajon do të arrihet me ndërtimin e rrjetit të ujit të nxehtë për Manastirin, Novacin dhe Mogilën, një projekt me Bankën KFW, me vlerë 35 milionë euro," përfundoi zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike Fatmir Bytyqi.

Drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, në fjalimin e tij vuri në dukje se në të kaluarën janë zbatuar shumë projekte, kanë filluar dhe zbatuar disa projekte investuese, janë bërë ndryshime në procesin e punës, kurse janë përmirësuar edhe kushtet e punës.

“Qëllimi ynë si kompani është të investojmë më shumë në të ardhmen, si në objektet e reja të prodhimit ashtu edhe në ato ekzistuese. Ne investojmë dhe do të investojmë në burime të rinovueshme të energjisë, që është në përputhje me strategjinë shtetërore të energjisë, por investojmë edhe në modernizimin e objekteve të tjera, veçanërisht në REK Bitola në Manastir, por edhe në REK Osllomej, sepse pa energji nga termocentralet ajo është e pamundur të ruhet një sistem energjie i qëndrueshëm dhe i sigurt. Nga ana tjetër, direktivat evropiane në sektorin e energjetikës janë të tilla që standardet e larta mjedisore duhet të sigurohen gjatë prodhimit nga qymyri dhe duhet t’i respektojmë ato standarde", theksoi në fjalën e tij drejtori i SHA EMV Vasko Kovacevski.

Drejtori i Përgjithshëm i REK Bitola nga Manastiri, Zlatko Qurçievski theksoi se për kompaninë të gjithë të punësuarit janë të vlefshëm, pavarësisht nëse punojnë në miniera, termocentrale apo shërbime.

“Me ndryshimin e rrethanave në punën e minatorëve, ndryshojnë edhe rrethanat në të cilat ekziston dhe vepron REK Bitola në Manastii. Tendencat e reja sjellin sfida të reja. Ne po përballemi me një periudhë transformimi të sistemit energjetik të vendit, i cili nga njëra anë duhet të mbetet i qëndrueshëm, kurse nga ana tjetër duhet të jetë i drejtë. Askush nuk duhet të ketë frikë se ai do të mbetet pa ekzistencë", theksoi drejtori i REK Qurçievski.

 

 

Në këtë ngjarje u ndanë mirënjohje për të punësuarit e REK Bitola në Manastir dhe REK Osllomej, të cilët treguan përkushtim, përgjegjësi dhe cilësi të jashtëzakonshme gjatë kryerjes së detyrave të punës.