Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, bashkë me zëvendëskryetarin e Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrin e Financave, Fatmir Besimi, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryetarin e komunës së Sarajit, Blerim Bexheti dhe deputetin dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, vizituan fabrikën për prodhim nga veprimtaria industriale “One cable“ në Saraj.
Bëhet fjalë për investim bashkëkohor në vlerë prej tre milionë euro për prodhimin e kabllove të bakrit dhe granulat PVC për energji elektrike me teknologji më bashkëkohore, që punëson 30 kuadro shumë të kualifikuar. Prodhimi vendoset në tregun e brendshëm, ndërsa tashmë janë konkurrentë dhe eksportojnë në Shqipëri, Bullgari, Kroaci dhe Kosovë.
Gjatë vizitës në fabrikën "One cable", Kryeministri Zaev tha se bëhet fjalë për një kapacitet prodhues që do të ndryshojë tërë ambientin e punës në vend. Me këtë rast, ai nënvizoi se edhe në kushte të një pandemie globale, aktiviteti ekonomik po rritet, gjë që konfirmohet nga të dhënat zyrtare të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës dhe analizat e zonave teknologjike të zhvillimit industrial.
"Në këto zona, aktivitetet rekord ekonomike u regjistruan në tetë muajt e parë të vitit 2021 në krahasim me vitet e mëparshme. Eksporti i përgjithshëm në tetë muajt e parë arriti në 2.04 miliardë euro, që është mbi 50% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra mbi 11% në krahasim me vitin 2019 dhe pothuajse 32% më shumë se viti 2018. Në mënyrë plotësuese numri i të punësuarve është në rritje: një rritje prej 7.15% është regjistruar në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pra mbi 14,000 bashkëqytetarë tanë punojnë në zonat. Kemi një njoftim për investime të reja të huaja në Shtip, Kërçovë dhe Shkup, me një vëllim të përgjithshëm mbi 54 milionë euro. Vetëm këto investime duhet të sjellin 680 vende të reja pune dhe të rrisin eksportet totale me mbi 850 milionë euro gjatë një periudhe dhjetëvjeçare. Që nga fillimi i këtij viti, ne kemi filluar ose janë në fazën e realizimit marrëveshje për investime të reja prej gati 160 milionë euro", nënvizoi Kryeministri Zaev dhe shtoi se Qeveria po ndërton politika ekonomike në baza dhe plane solide dhe planifikon në afat të gjatë.
“Paga mesatare neto në vend po rritet vazhdimisht dhe e njëjta për punonjës, në qershor të vitit 2021, është 28,744 denarë, që është 7%, ose 1,877 denarë më shumë në krahasim me qershorin e kaluar. Ne vërejmë nivelin më të ulët historikisht të normës së papunësisë prej 15.9% me një tendencë që ajo të ulet akoma deri në fund të vitit. Qeveria vazhdon të punojë shumë dhe të ketë politika të mira ekonomike për të rritur standardet jetësore. Investimet, punësimi dhe pagat më të larta ndryshojnë jetën për më mirë", tha Kryeministri Zaev.
Zëvendëskryetari i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, theksoi se ky është më shumë se sinjal i mirë për kushtet që Qeveria ia ofron komunitetit të biznesit.
"Jam shumë krenar për klimën e mirëbesimit dhe të bashkëpunimit që e kemi ndërtuar si qeveri me afaristët sepse interesin e kemi të përbashkët, një shtet të zhvilluar dhe të barabartë për të gjithë ku do të bëjmë jetë edhe me të mirë të gjithë bashkë”, tha në këtë ngjarje zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë, Grubi.
Ai theksoi se të gjitha kompanitë, pa marrë parasysh nëse janë të huaja ose të vendit kanë partner serioz dhe dorën e shtruar nga Qeveria për realizimin e investimeve me qëllim përmirësimi i ekonomisë në komuna dhe i gjithë vendi.
“Konsideroj se ky bashkëpunim i joni në Qeveri dhe në komuna ju sjell Juve si afarist parashikueshmëri dhe siguri për ta realizuar dhe zhvilluar biznesin Tuaj, pa droje e pa dyshime. Bashkëpunimi jonë konstruktiv i rehaton edhe qytetarët sepse ata nuk duan ndasi, nuk duan një Shkup për ata dhe një Shkup për ne, nuk duan monumente, por duan fabrika, nuk duan përplasje por duan paqe, nuk duan një Qeveri e një komunë për njërin nënë e për tjetrin njerkë”, konkludoi zëvendëskryeministri i Parë, Grubi.