Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 117-të të rregullt e miratoi Strategjinë Nacionale për Punësim 2021-2027 me Planin e Veprimit të përfshirë.
Në përputhje me trendet e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe të tregut të punës, zbatimi i Strategjisë është paraparë në dy faza, prej të cilave faze e parë është fokusuar kryesisht në zbutjen e pasojave negative të pandemisë së Kovid-19 mbi punësimin dhe futjen e reformave të nevojshme për fillimin e fazës së dytë – (nga viti 2024 deri 2027 ) të politikave, e cila është më progresive dhe synon afrimin me Strategjinë për Punësim të Bashkimit Evropian.
Sipas projeksioneve për punësim, shkalla e pjesëmarrjes së të punësuarve në popullatën e përgjithshme deri në vitin 2027 do të rritet në 60 për qind, derisa shkalla e papunësisë do të ulet në 11 për qind për popullatën në moshë pune.
Strategjia Nacionale për Punësim shoqërohet edhe me Garancinë për të Rinjtë, plani i së cilës për zbatim do të riformulohet në vitin 2022 që të merret parasysh përparimi i arritur, ndikimi i pandemisë mbi punësimin e të rinjve dhe përshtatjet e futura në Programin e BE-së për mbështetjen e të rinjve, me të cilin pritet punësim dukshëm më i lartë i të rinjve.
Në këtë mbledhje në bazë të Raportit të Grupit punues për gjetjen e mënyrës për rregullimin e mbulimit gjuhësor në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe në kanalet sportive që ritransmetohen në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeveria u rekomandon të gjithë transmetuesve që ritransmetojnë përmbajtje sportive në territorin e vendit, më së voni deri më 31 dhjetor të fillojnë me zbatimin e dispozitave të Konventës së BE-së për televizionin ndërkufitar dhe t’i transmetojnë shërbimet mediatike sportive në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Qeveria sot e miratoi edhe Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjeve mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për vendosjen e një vendkalimi kufitar të përbashkët sipas konceptit të përbashkët për kontroll kufitar.
Sipas tekstit të ligjit, bëhet fjalë për kontrolle kufitare me një ndalje (One-stop shop) dhe procedura më të thjeshta, të cilat zbatohen në një vendkalim kufitar.
Konceptimi i vendkalimeve kufitare të përbashkëta dhe procedurave të thjeshta në një pikë të vetme kufitare çon në përshpejtimin dhe thjeshtëzimin e lëvizjes në vendkalimet kufitare.
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit për lehtësimin e transportit rrugor të mallrave në rajonin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Ministrat në Qeveri sot e shqyrtuan dhe e miratuan informacionin për gjetjet dhe rekomandimet kryesore nga Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, në të cilin thuhet se vendi vazhdon t’i përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe se autoritetet demonstrojnë publikisht angazhimin e tyre të fortë për përparimin e vendit në rrugën e tij drejt BE-së.
Komisioni, u bëri thirrje vendeve anëtare që të miratojnë kornizën negociuese pa vonesë dhe të mbajnë Konferencën e parë Ndërqeveritare, duke vënë në dukje se shtyrja e fillimit zyrtar të negociatave të anëtarësimit ka ndikim negativ në kredibilietin e BE-së.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, Qeveria e ngarkoi Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE), në bashkëpunim me ministritë dikasteriale që ta azhurnojnë Agjendën Evropë në vend, në përputhje me prioritetet afatshkurtra të Raportit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021 jo më vonë se 22 nëntor 2021.