Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, bashkë me ekipet e tyre, sot patën takim të ri pune në kuadër të bisedimeve për formimin e mundshëm të Qeverisë së përbashkët dhe shumicës së përbashkët qeveritare – thuhet në komunikatën e Qeverisë pas takimit të tretë Zaev – Gashi.
Në takim është konstatuar progres evident në harmonizimin e qëndrimeve rreth plotësimit të pjesës përmbajtjesore të programit të Qeverisë, kurse janë këmbyer ide dhe vlerësime nga të dyja palët për ndarjen e përgjegjësive në nivelin më të lartë në institucionet e pushtetit qendror.
Bisedimet vazhdojnë të udhëhiqen nga aspiratat për agjendën evropiane të vendit dhe nga nevoja e dërgimit të sinjaleve të qarta ndaj qytetarëve dhe BE-së për përkushtimin në evropeizimin e RMV-së, për përparimin e standardit ekonomik dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.
Pritet që deri në fund të javës të realizohen konsultimet e nevojshme nëpër partitë dhe të sigurohet harmonizimi i nevojshëm me qëllim të arritjes së marrëveshjes për Qeveri të mundshme të përbashkët që do të përkushtohet ndaj sfidave që vijnë nga pandemia dhe kriza globale energjetike dhe pa hezitim do t`i realizojë qëllimet e përcaktuara strategjike të RMV-së.