Në Tiranë sot po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” i cili filloi me takimin e punës së liderëve të nismës, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, si nikoqir, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në fjalimin e tij hyrës, Kryeministri Zaev deklaroi: “Që në fillim të kësaj nisme theksuam: “Ballkani i Hapur” është një proces autentik, i përbashkët i Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, por nisma është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Nga takimi i parë në Shkup në korrik dhe nënshkrimi i parë i marrëveshjeve, kemi treguar se vullneti i fortë politik mund të shndërrohet në funksionim të shpejtë të institucioneve tona, gjë që padyshim tregon kapacitetin tonë si vende për të zbatuar reforma të shpejta, efikase dhe përparuese. Pikërisht këtë kapacitet ne do t'a tregojmë para institucioneve evropiane në rrugën e integrimit tonë evropian".
Në takimin Tiranë do të nënshkruhen më shumë marrëveshje multilaterale dhe bilaterale në drejtim të realizimit të të drejtave themelore për lëvizje të lirë të njerëzve, prodhimeve dhe kapitalit, si pjesë e përfitimeve të planifikuara për bashkëpunim më të madh rajonal dhe avancim në ndërlidhjen mes vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Në Samitin në Tiranë marrin pjesë edhe Komisari për zgjerim dhe politika fqinjësore të BE-së, Oliver Varheji, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, përfaqësues të odave ekomonike të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe një numër i madh i përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit të tre vendeve dhe rajonit.
Në Tiranë sot do të nënshkruhet Marrëveshja për kushte për qasje të lirë në treg në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshja e ndërlidhje për skemat elektronike të identifikimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, Marrëveshja mes qeverive të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurinë ushqimore dhe politikën fitosanitare.
Në Samitin e “Ballkanit të Hapur” në Tiranë do të nënshkruhen edhe marrëveshje bilaterale për njohjen e miratimeve për Operator të autorizuar ekonomik dhe siguri mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë.
Në delegacionin e takimit në Tiranë janë edhe zëvendësministri për Financa Dimitar Kovaçevski dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave,Trajan Dimkovski.