Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi , priti sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. z. Fatos Reka, me të cilin u bisedua për bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve, por edhe për kontributin e përbashkët të dy vendeve fqinje për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik.
Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i bashkëpunimit të mirë mes vendeve të rajonit dhe theksoi se janë lider në proceset që nënkuptojnë përmirësimin e kushteve për të bërë biznes për kompanitë, të cilat realizohen përmes proceseve paralele. “Ballkani i Hapur” dhe “Procesi i Berlinit”, që bazohen në rritjen e konkurrencës së secilit prej vendeve dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe sigurimin e kushteve më të lehta për integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik dypalësh, zëvendëskryeministri dhe ambasadori përshëndetën ritmet e rritjes dhe vëllimin e shkëmbimit tregtar, eksportit dhe importit, të cilat në vitin 2021 ishin në nivel rekord, por megjithatë ranë dakord se ka potencial shumë më të madh për rritjen e bashkëpunimit në më shumë fusha ekonomike, si dhe mundësitë për realizimin e investimeve të kompanive nga Shqipëria në vendin tonë dhe anasjelltas, të cilat do të nxisnin në mënyrë shtesë shkëmbimin tregtar.
Bytyqi theksoi se Maqedonia e Veriut po punon me shpejtësi në realizimin e disa projekteve kapitale infrastrukturore që do të mundësojnë lidhje më të mirë rrugore, hekurudhore dhe energjetike me Republikën e Shqipërisë, që është një bazë tjetër e mirë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në margjinat e takimit, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadori Reka shprehën gatishmërinë dhe hapjen për vazhdimin dhe intensifikimin e kontakteve të ndërsjella për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e marrëdhënieve edhe më të forta ndërmjet dy vendeve mike.