Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë në manifestimin me rastin e vendosjes së gurthemelit të largpërçuesit 400 kV, që fillon nga trafo-stacioni "Manastir2" dhe i lidh sistemet e transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Projekti, si projekt i Korridorit 8, ka vlerë të jashtëzakonshme strategjike dhe kapitale rajonale.
“Me këtë investim në vlerë prej 17.2 milionë eurosh lidhemi me Republikën e Shqipërisë si shteti i fundit me të cilin vendi ynë nuk ishte i lidhur energjetikisht. Në këtë mënyrë e përfundojmë procesin e lidhjes me sistemin e transmetimit të energjisë të të gjitha vendeve fqinje, me të cilat tanimë kemi pesë interkoneksione në nivel tensioni 400 kV - dy lidhje me Greqinë dhe një me Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë. Shteti ynë ka rol kyç në lidhjen rajonale energjetike dhe për këtë shkak ky investim ka një rëndësie të madhe për ne dhe për tërë rajonin.
Me këtë projekt, Maqedonia e Veriut pozicionohet si udhëkryq ballkanik për shpërndarjen e energjisë elektrike”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij duke përshëndetur nisjen e punës të këtij largpërçuesi , i cili është pjesë e projektit më të madh kapital prej 50 milionë eurosh në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike për interkoneksionin e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, që ndër të tjera përfshin ndërtimin e trafo-stacionit në afërsi të Ohrit. i cili filloi në gusht të vitit 2021, si dhe zgjerimin e trafo-stacionit 400/110 kv “Manastiri 2”.
Në sferën e tërë zinxhirit elektro-energjetik lindje-perëndim, tha Kryeministri Kovaçevski, largpërçuesi i interkoneksionit Manastir-Elbasan është një realizim i Korridorit 8 dhe është një hallkë kyçe në kalimin e energjisë elektrike nga Bullgaria, përmes Maqedonisë së Veriut, përmes Shqipërisë deri në Italia.
“Me largpërçuesin dhe trafo-stacionin është realizuar përcaktimi strategjik i operatorit nacional i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike MEPSO, i cili do të sigurojë një sistem të besueshëm dhe të qëndrueshëm, integrimin në tregun e përbashkët evropian të energjisë elektrike, e në këtë mënyrë duke rritur konkurrencën dhe përfitimin ekonomik për të gjithë qytetarët. Me këtë projekt Maqedonia e Veriut i përmbush standardet e larta teknologjike evropiane për transmetimin e energjisë elektrike, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për ne si shtet”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski theksoi se projekti hap potenciale të gjera ekonomike nga perspektiva e nismës Ballkani i Hapur dhe se duke investuar në projekte kapitale në rrjetin elektrik, ne i lidhim ekonomitë e rajonit me potencial të ri për zhvillim të mëtejmë.
“Me realizimin e këtij projekti madhështor, ne dërgojmë një mesazh të qartë për të gjithë investitorët se po forcojmë rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike dhe po krijojmë një mjedis të favorshëm për ata që duan të përdorin potencialin ekonomik dhe të investojnë në vendin tonë. Kjo do të thotë punësime të reja, e me këtë edhe prosperitet të përgjithshëm ekonomik", tha Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij.
Duke uruar fillimin e realizimit të këtij investimi madhor, Kryeministri Kovaçevski falënderoi mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe të Delegacionit të BE-së në vend për grantin përmes instrumentit “Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, i cili ndër të tjera synon të mbështesë investime të tilla në fushën e industrisë energjetike.
Sekretari i përgjithshëm e SHA MEPSO, Orhan Murtezani në ngjarje me rastin e vendosjes së gurthemelit të largpërçuesit nga TC “Bitola 2” deri te kufiri maqedonas – shqiptar, theksoi se ky investim rrumbullakohet me interkoneksione elektroenergjetike me të gjithë fqinjët t6anë do të mundësojë siguri më të madhe dhe stabilitet të sistemit tonë elektroenergjetik dhe përfshirje në të gjitha iniciativat rajonale për shkëmbimin e energjisë.
Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Xhulijan Vasallo tha se investimi në projekte si ky është hap para drejt transformimit energjetik dhe ndaj sigurisë energjetike të vendit dhe rajonit dhe se është shembull për ndërlidhje dhe bashkëpunim ndërkufitar. Vasallo shtoi se BE-ja mbetet e përkushtuar për të përfunduar iniciativa e BE-së për korridorin Lindje-Perëndim për transmetimin e energjisë elektrike ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Italisë.
Përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vendin tonë Andi Aranitasi në fjalimin e tij theksoi se linja ajrore e ndërlidhjes do të luajë një rol kyç në zhvillimin e tregut rajonal të energjisë elektrike dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, ku energjia diellore dhe era do të të jenë dy burimet prioritare të ripërtërishme që do të zhvillohen në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, duke u mbështetur në mbështetjen që BERZH-i u ka ofruar autoriteteve në të dy vendet për të nisur tenderët konkurrues për burimet e ripërtërishme të energjisë.