Mundësi të reja për bashkëpunim në kulturë, arsim dhe shkencë, turizëm dhe të rinj, si dhe sport mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u mbajt mbledhja e dytë e Grupit të katërt të punës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në pjesën e kulturës, arsimit dhe shkencës, turizmit dhe të rinjve dhe sportit.

Në deklaratën për media pas përfundimit të mbledhjes, ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska, e cila është anëtare e Grupit të punës, theksoi se takimi ka kaluar në atmosferë konstruktive dhe miqësore në kuadër të së cilit u shkëmbyen mendime, qëndrime dhe ide për përmirësimin dhe avancimin e bashkëpunimit në të gjitha segmentet.

“I përbashkët ishte përfundimi se deri më tani në kulturë janë realizuar disa projekte dhe iniciativa që kanë promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe janë realizuar takime të shumta të artistëve maqedonas dhe bullgarë në ngjarje të rëndësishme në të dyja vendet. U pajtuam që ky bashkëpunim të vazhdojë, por edhe të intensifikohet, për çka do të kontribuojë nënshkrimi i Programit të ri për bashkëpunim ndërmjet dy ministrive për periudhën 2022 - 2025. Tashmë ministritë dikasteriale po punojnë për përpilimin e tij”, tha ministrja e Kulturës.

Gjithashtu, u propozua edhe organizimi i punëtorive të përbashkëta për punonjësit e dy ministrive të Kulturës dhe për përdoruesit e tjerë të mjeteve nga programet që janë në funksion të zhvillimit të industrive kreative në të dy vendet, me pjesëmarrjen e ekspertëve evropianë të fushës. Ministrja e Kulturës shtoi se për përforcimin e kapaciteteve administrative në perspektivën e zbatimit të dokumenteve normative evropiane në fushën e kulturës, pret ndihmë nga Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Nga Qeveria e Republikës së Bullgarisë, deklaratë pati ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikollaj Denkov. Ai u fokusua në mundësitë për bashkëpunim në programin Erasmus, për mbajtjen e një takimi të përbashkët të rektorëve të universiteteve të të dy vendeve, lehtësimin e njohjes së diplomave nga universitetet e dy vendeve dhe tha se takimi i dytë i Grupit të punësështë shfrytëzuar për të specifikuar dinamikën e zbatimit të aktiviteteve të planifikuara në të gjitha fushat për të cilat ky grup është përgjegjës.
 

Në këtë, ku morën pjesë edhe ministrat e Arsimit dhe Shkencës të të dyja vendeve, Jeton Shaqiri dhe Nikollaj Denkov; ministri për Sport, Radostin Vasilev; zëvendësministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Xhabir Doko; zëvendësministrja për Turizëm, Irena Georgieva; drejtori i ARS-së, Naumçe Mojsoski; dhe drejtori për promovimin  e turizmit, Ljupço Janevski, mes tjerash, u diskutua për bashkëpunimin në turizëm, të rinj dhe sport. 

Për të nxitur bashkëpunimin në fushën e turizmit, veçanërisht pas hapjes së linjës ajrore Sofje - Shkup dhe anasjelltas, tashmë janë ndërmarrë aktivitete për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Ministrisë së Turizmit të Republikës së Bullgarisë dhe Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku rolin më të madh e ka e Agjencia jonë për Promovimin e Turizmit. Avancimi i bashkëpunimit përmes përgatitjes dhe nënshkrimit të një dokumenti për bashkëpunim, parashikojnë edhe pjesëmarrësit në sektorin e rinisë dhe sportit.