Kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendëskryeministrin e ngarkuar për çështje ekonomike, koordinimin e burimeve ekonomike dhe investimeve, Fatmir Bytyqi dhe ministrin e Financave Fatmir Besimi, realizuan takim me delegacionin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) të udhëhequr nga nënkryetarja Liljana Pavllova, e cila shprehu urime dhe i dëshiroi Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë punë të suksesshme.
Në takim u konfirmua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit të Qeverisë dhe përkrahja e Bankës Evropiane për Investime në drejtim të realizimit të disa projekteve madhore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetikën, digjitalizimin dhe zhvillimin e gjelbër.
Gjithashtu u theksua se vazhdon bashkëpunimi për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut u shpërndahen kompanive përmes bankave komerciale.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se mbështetja për realizimin e projektit për ndërtimin e interkonjektorit të gazit me Greqinë dhe realizimin e seksionit në vend është me rëndësi të madhe dhe u vlerësua se investimi do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit me energji, duke ofruar zhvillim socio-ekonomik dhe integrim në tregun e energjisë në rajon dhe në Bashkimin Evropian.
Ata diskutuan edhe për realizimin e investimeve të mëdha publike në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore dhe theksuan rëndësinë e lidhjes hekurudhore me Bullgarinë, pjesë e Korridorit 8.
Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, duke theksuar mbështetjen e vendit dhe rajonit për investime në projekte të reja.