Për vendimin e kufizimit të eksportit për disa lloje të mallrave për mbrojtjen e tregut vendas dhe qytetarëve, sot njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, bashkë me këshilltarin shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski.
Në vazhdim ju a përcjellim në tërësi fjalimin e ministrit të Ekonomisë, Bekteshi në tërësi:
Dua t’Ju informoj se me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Qeveria në seancën e mbajtur dje mori vendim për kufizimin e eksportit të mallrave të caktuara me qëllim që të shmangen veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore, tregut vendor dhe qytetarëve.
Në përputhje me Vendimin, nga sot 11 mars, e deri më 20 mars, respektivisht në kohëzgjatje prej 10 ditëve ndalohet eksporti i produkteve si vijon:
- grurë dhe thekër,
- elb,
- misër,
- miell nga gruri dhe thekër,
- farë luledielli,
- vaj nga fara e lulediellit.
Duke marrë parasysh invadimin e Rusisë në Ukrainë dhe reperkusionet që në një situatë të këtillë janë jo vetëm në tregjet evropiane, por edhe në ato botërore mund të them se tani jetojmë në një nga krizat më të mëdha ekonomike botërore. Për çdo Qeveri është prioritet që ta mbrojë standardin e qytetarëve dhe të ruajë stabilitetin ekonomik.
Si rezultat i pritjeve se do të ndodhin çrregullime serioze për shkak të mungesës së mallrave që janë të domosdoshme për prodhimin, përpunimin dhe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, Ministria e Ekonomisë në përputhje me Ligjin për tregti i propozoi Qeverisë që të bëhet kufizimi i eksportit të produkteve të caktuara, gjë që siç e thash edhe paraprakisht është me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë.
Qeveria e merr këtë vendim për të kufizuar eksportet si masë paraprake, për të mos shkaktuar çrregullime të mëdha të tregut për shkak të vendimeve të kufizimit/ndalimit të eksporteve drejt vendeve të tjera të rajonit.
Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor dhe e qytetarëve në kohë krize.
Në kushtet pas pandemisë, kur përballemi me krizën më të madhe ekonomike që Evropa dhe bota e kujtojnë kohët e fundit, qytetarët duhet ta dinë se Qeveria është plotësisht e përkushtuar që të ulen pasojat negative të tendencave negative ekonomike botërore.
Dua t'u bëj thirrje të gjithë faktorëve në ekonomisë se tani është koha e duhur për të treguar mirëkuptim dhe të kontribuojmë bashkërisht në uljen e pasojave negative të krizës.
Siç kemi informuar edhe më parë, dua ta përsëris edhe një herë dhe t'u garantoj qytetarëve se rezervat shtetërore të mallrave janë të qëndrueshme.
Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe misrit për të mbuluar nevojat vendore.
Mullinjtë/kompanitë private në vend kanë mbi 50.000 tonelata grurë, mbi 10.000 tonelata misër dhe mbi 8.000 tonelata elb për shkak të rritjes së prodhimit vendor të grurit nga 195 mijë tonelata në vitin 2017 në 253 mijë tonelata në vitin 2021.
Nëse paraqitet nevoja, shteti është i gatshëm të plotësojë rezervat e mallrave, por për momentin nuk ka nevojë për këtë. Qytetarët të mos bien pre e asnjë spekulimi, të mos shqetësohen.
Vetëm 2 ditë më parë në seancën e Qeverisë miratuam një pako prej gjithsej 26 masave dhe rekomandimesh për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe ruajtjen e likuiditetit të kompanive me vlerë prej gati se 400 milionë euro. Vëllimi i këtillë i pakos për mbështetje është tregues i kujdesit të Qeverisë dhe strategjisë së përcaktuar si duhet për orientimin e të gjitha burimeve drejt mbrojtjes së standardit të qytetarëve, por edhe mbështetjes së ekonomisë.
Një pjesë e masave janë aktive, e një pjesë janë përgatitur dhe dorëzuar në Kuvend dhe bëjmë thirrje që të miratohen sa më shpejt në procedurë të përshpejtuar parlamentare në mënyrë që të sigurohet ulje e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të benzinës dhe derivateve të tjera të naftës.