Kovaçevski në takimin me Bërns: Në këtë kohë krize, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA-të janë të një rëndësie të jashtëzakonshme

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka realizuar takim me  ambasadoren amerikane në vend, Kejt Meri Bërns.

 “Kryeministri Kovaçevski dhe ambasadorja Bërns diskutuan për situatën në Ukrainë, duke theksuar se agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër një vendi sovran është një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe në botë, e cila si e tillë është vlerësuar nga një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Në takim u theksua se në këtë kohë krize në botë, vlera dhe përfitimet e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara janë të një rëndësie të veçantë.
 
Kryeministri Kovaçevski gjatë bisedës me ambasadoren Bërns prezantoi masat e Qeverisë për përballimin e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike, të cilat janë komplikuar edhe më shumë nga lufta në Ukrainë, dhe theksoi se këto janë masa gjithëpërfshirëse që synojnë mbrojtjen e sigurisë sociale dhe standardi i jetesës së qytetarëve si dhe të ofrojë kushte të qëndrueshme pune për kompanitë.

Ambasadorja Bërns theksoi se kriza aktuale e sigurisë në Evropë tregon nevojën për fokus të vazhdueshëm në rajon dhe Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë integrimin evropian të vendit.