Kryeministri Dimitar Kovaçevski me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit për Autizmin, 2 Prill, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u takua me fëmijët me autizëm dhe zhvillim atipik të shoqatës “Në botën time” dhe me prindërit e tyre. Me këtë gjest, Kryeministri tha se Qeveria dhe institucionet edhe më tej do të jenë mbështetës dhe aleatë të këtyre familjeve në luftën e ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Në një atmosferë joformale fëmijët dhe prindërit e tyre ishin ftuar në një shëtitje të shkurtër në Qeveri, ku i vizituan Kabinetin e Kryeministrit, sallën dypalëshe, sallën e mbledhjeve, qendrën e medias, pas së cilës kishin takim të shkurtër me Kryeministrin Kovaçevski në sallën solemne.
Me këtë rast, Kryeministri apeloi për solidaritet me personat me autizëm, duke përkujtuar se ne si shoqëri jemi të bashkuar në diversitet dhe se Qeveria ka për obligim të vazhdojë të punojë për avancimin e zgjidhjeve që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së personave me autizëm dhe të të dashurve të tyre.
Ai theksoi se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë rregullisht realizojnë aktivitete në pjesën e Programit të Qeverisë me të cilat mundësohet që personat me aftësi të kufizuara t’i kenë të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë në vend. Kjo veçanërisht ka të bëj me përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara të përcaktuara nga Konventa e OKB-së.
“Qeveria, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën e qytetarëve për trajtim të personave me autizëm “Në botën time” mundësoi shfrytëzimin e hapësirave të pashfrytëzuara në disa qendra shëndetësore në Shkup, Ohër dhe Tetovë për hapjen e qendrave për ofrimin e një gamë e gjerë të shërbimeve që mund t’u ndihmojnë fëmijëve me aftësi të kufizuara zhvillimore. Në këto qendra është i mundur ofrimi i mbështetjes së nevojshme nga lloje të ndryshme profesionistësh për rreth 200 fëmijë, me qëllim që t’u ndihmohet atyre të arrijnë nivelin maksimal të mundshëm të zhvillimit, gjë që rrit shanset e tyre për sukses në vitet e mëvonshme”, theksoi Kryeministri.
Në takim mori pjesë edhe nënkryetarja e shoqatës “Në botën time” Vesna Stojanovska e cila shprehu mirënjohje për zbatimin e përkushtuar të politikave gjithëpërfshirëse nga Qeveria dhe institucionet.