Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në kuadër të vizitës së tij të punës dhe pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Delfi në Greqi, realizoi takim me homologun e tij kosovar, Albin Kurti.
Të dy kryeministrat i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si jashtëzakonisht të mira dhe diskutuan për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Në takim u vlerësua se seanca e përbashkët e Qeverive të dy vendeve e planifikuar për në qershor të këtij viti është një shtysë shtesë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.
Kovaçevski dhe Kurti theksuan se qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të krijojnë politika koherente dhe konsistente që do të rrisin konkurrencën e rajonit, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetesës dhe të krijohet një standard më i lartë i jetesës për të gjithë qytetarët.
Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë, ndërsa intensifikimi i bashkëpunimit kontribuon në stabilitetin e të gjithë rajonit.
Maqedonia e Veriut mbetet një mbështetëse e fortë e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe është e gatshme të ndajë përvojat në të gjitha fushat në të cilat Republika e Kosovës do të shprehë interesin për rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.