Zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha në konferencën e sotme për shtyp, njoftuan për vendimet e miratuara dhe konkluzat nga mbledhja e 37-të e Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet në interes të opinionit dhe mediave.
Zëdhënësit informuan se lidhur me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Qeveria e hoqi mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambient të mbyllur, me përjashtim të objekteve shëndetësore, transportit publik, farmacive dhe shtëpive për persona të moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara.
Siç theksuan ata, Qeveria vazhdon të afirmojë fuqishëm rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse që maskë për ambiente të mbyllura duhet të mbajnë personat mbi moshën 65 vjeçare, të sëmurët kronik dhe personat me imunitet të dobët.
Në përputhje me rekomandimet hiqet detyrimi për mbajtje të detyrueshme të maskave gjatë mësimit në shkollat e mesme, si dhe ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimit në natyrë. Ndër masat që shfuqizohen është edhe masa për izolim të detyrueshëm të personave që kanë pasur kontakte të afërta me raste pozitive me KOVID-19, për të cilët mbetet masa për mbajtjen e maskës mbrojtëse në hapësirë të mbyllur në periudhë prej 7 ditësh nga kontakti i fundit me personat me KOVID-19 të vërtetuar.
Në konferencën për shtyp zëdhënësit informuan se në mbledhjen e djeshme u miratua Vendimi për heqjen e taksës së importit- normës doganore për importin e vajit të lulediellit ushqimor. Me këtë, siç theksuan, do të jepet mundësi që deri më 31 maj të vitit 2022 të të importohen sasitë e nevojshme të këtij produkti ushqimor bazë nga vendet që nuk janë subjekt i normave doganore preferenciale të cilët do të sigurojnë sasi të mjaftueshme për tregun vendor dhe do të ulet presioni për rritjen e çmimeve të këtij produkti.
Zëdhënësit informuan se Qeveria vazhdoi afatin për zbatimin e kufizimit të eksportit të mallrave të caktuara, deri më 15 maj 2022. Vazhdimi i afatit për kufizimin e eksportit është për grurin dhe shojzën; elbin; misrin; miellin e grurit dhe shojzën; farave të lulediellit, duke përfshirë të thyer ose të grimcuar; vajrave nga fara e lulediellit, shafranit ose farës së pambukut, si dhe eksportit të jonxhës. Nevoja për vazhdimin e afatit për eksportin e këtyre mallrave deri më 15 maj të vitit 2022 është që të eliminohet mundësia e furnizimit për shkak të mungesës së mallrave të nevojshme për përpunimin dhe prodhimin e produkteve ushqimore bazë për qytetarët deri në korrjen e re vendore.
Në konferencën për shtyp u informua se Qeveria e miratoi tekstin e propozim-Ligjit për inspektim financiar në sektorin publik.Me propozim të Ministrisë së Financave, qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e interesave financiare publike në menaxhimin financiar të fondeve të buxhetit të shtetit, buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe fondeve nga burime të tjera publike si dhe fondeve të BE-së, me përcaktimin e ligjshmërisë dhe përdorimit efikas dhe të përgjegjshëm të tyre në përputhje me rregulloret e veçanta që parashikojnë kompetencën për të kryer inspektimin financiar.
Interesi mediatik rreth bisedimeve mes SASHK-ut dhe MASH-it për rialokimin e mundshëm të mjeteve buxhetore për rritjen e pagave në arsim dhe çfarë hapash konkretë do të ndërmarrë Qeveria për këtë çështje, zëdhënësit bënë të ditur se sot do të mbahet takimi ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë gjegjësisht MASH-it dhe SASHK-ut, ndërsa opinioni do të njoftohet për konkluzat. Ata nënvizuan se Qeveria është e përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme, zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në kushte të krizës ekonomike dhe apeluan deri te mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme t’i vendosin interesat e fëmijëve në rend të parë.
U theksua se Qeveria përmes dialogut konstruktiv me sindikatat, pagat e të punësuarve në arsim dhe mbrojtje të fëmijëve në periudhën prej vitit 2017 deri në vitin 2022 i rriti për 21%, ndërsa të njëjtën periudhë kujdestaret dhe edukatoret kanë rritje prej 5.000 deri në 6.500 denarë plus për mundin e kaluar.
“Kjo Qeveri ka dëshmuar se i dëgjon kërkesat dhe nuk ikën nga zgjidhja, por duhet të menaxhojë hapur dhe me përgjegjësi buxhetin dhe të kujdeset për ekonominë. Nuk do të fitojmë asgjë nëse rrisim inflacionin dhe pikërisht kështu do të ndodhë nëse kërkesat realizohen ashtu siç janë vendosur”, u theksua në konferencën për shtyp.
Lidhur me interesimin e mediave për gjendjen shëndetësore të Kryeministrit Kovaçevski, i cili të dielën mbrëma u pranua në Klinikën Infektive nën dyshimin për helmim nga ushqimi, zëdhënësit informuan se Kryeministri është pranuar me dhimbje barku, ku i është kushtuar kujdes i plotë, ku i është përmirësuar gjendja. Ai është ndaluar për vëzhgim dhe të nesërmen është liruar në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Sa i përket forumit në Delfi, u informua se Kryeministri gjatë kësaj periudhe nuk ka ngrënë dhe as nuk ka lëvizur jashtë protokolleve, gjegjësisht se si në të gjitha manifestimet e tjera ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë, janë marrë masa dhe aktivitete për të kontrolluar sigurinë e pijeve.
Zëdhënësit theksuan se këto masa janë marrë në vazhdimësi, edhe pse në situata të caktuara nuk mund të parashikohen paraprakisht. Në këtë rast, siç nënvizuan ata, po hetohen të gjitha rrethanat.
Lidhur me çështjen e ndarjes së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zëdhënësit theksuan se vendi ynë ka zbatuar të gjitha reformat, ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së për hapjen e procesit të anëtarësimit, për të cilat ka një vendim, që në vitin 2020. U shtua se ne kemi qëndrim konstruktiv ndaj ideve dhe propozimeve të ndryshme për gjetjen e zgjidhjeve dhe qëndrimi i Komisionit Evropian për këtë çështje është miratimi i kornizës negociuese dhe mbajtja e konferencave ndërqeveritare me të dyja vendet.
“Ky është një proces i bazuar në merita dhe të dyja vendet kanë zbatuar reforma serioze, kështu që fillimi i procesit të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është alternativa më e mirë dhe e vetme, në interes të ofrimit të perspektivës dhe stabilitetit për të gjithë rajonin”, u theksua në konferencën për shtyp.
Në interes të mediave lidhur me vdekjen e hendbollistit të ri kroat Denis Tot, zëdhënësit bënë me dije se institucionet e pushtetit ekzekutiv kanë vepruar shprehimisht në lidhje me këtë rast shqetësues. Siç theksuan ata, Qeveria nuk mund të komentojë për hetimet në vazhdim, por nga ajo që dihet publikisht deri më tani, është se mjekët bënë një luftë 24 ore për të ringjallur pacientin e ri, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë, si dhe Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë kanë vepruar në bazë të provave.
Dy të dyshuar janë ndaluar, ndërsa i dyshuari i parë pas disa ditësh arratisje dhe urdhër arresti është dorëzuar mbrëmë pasi policia ka marrë masa dhe aktivitete.