Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me video fjalim u fokusua në provokimet që me rastin e hapjes së klubit bullgar në Manastir nxitën gjuhë të urrejtjes dhe mosbesim me qëllim të vënë në dyshim progresin e arritur deri më tani në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes i arritur me një përkushtim të fortë me vizion dhe lidership të qartë nga të dyja palët, mund të arrihet një zgjidhje dinjitoze e mosmarrëveshjeve për një të ardhme të përbashkët në BE.
Në vazhdim të kësaj kumtese, ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:
“Të nderuar qytetarë,
Që në ditën e parë të mandatit tim si Kryeministër, kam thënë se nuk tërhiqem nga fakti që bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të zhvillohen me dinjitet dhe në frymën e vlerave evropiane. Ne iu përmbajtëm këtij angazhimi gjatë gjithë kësaj periudhe. Kemi zbatuar projekte konkrete të përbashkëta, kemi përmirësuar marrëdhëniet dhe kemi reduktuar gjuhën e urrejtjes.
Fatkeqësisht, me vizitën e fundit të delegacionit bullgar në Manastir, shpirtrat e së kaluarës u zgjuan duke rindezur gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimin kundër të cilave luftuam me sukses. Prandaj e kuptoj plotësisht dhe e ndjej zemërimin e qytetarëve në ditët e kaluara.
Vendi ynë e fitoi pavarësinë pas Luftës së Dytë Botërore në të cilën qytetarët morën pjesë në luftën antifashiste nacionale çlirimtare. Angazhimi antifashist i qytetarëve është pjesë e identitetit tonë nacional për të cilin krenohemi në një Evropë demokratike.
Qytetarët maqedonas janë të vendosur për anëtarësim në BE, por provokimet që lëndojnë ndjenjat tona si qytetarë e rrezikojnë këtë angazhim.
Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran dhe ne kemi për detyrë ta mbrojmë dinjitetin tonë. Ne kemi një synim strategjik për t'u anëtarësuar në BE, por me dinjitet me krenarinë dhe veçantinë tonë nacionale.
Besoj se duhet të vazhdojmë dhe të punojmë në forcimin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes dy kombeve deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes. Por që ajo të jetë e suksesshme, asnjëra palë nuk duhet të tërhiqet. Ne nuk duhet të lejojmë një kthim të vazhdueshëm në të kaluarën dhe lëvizjet që nënkuptojnë përfitime politike njëditore dhe dëmtim afatgjatë në marrëdhëniet që po ndërtojmë.
Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë me reformat në të gjitha fushat që do ta përgatisin vendin për anëtarësim të plotë në Union. Këto janë procese që ne i drejtojmë për të mirën tonë, për zhvillimin e vendit tonë dhe kushte më të mira për qytetarët”.