Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 40-të shqyrtoi dhe miratoi Informatën për gjendjen në shkollat fillore dhe të mesme të shkaktuar nga greva e punëtorëve, në pajtim me vendimin e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK).
Me konkluzionet e kësaj pike, Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Financave që me rebalancin e Buxhetit të parashikojnë mjete për rritje të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm dhe përkujdesjen e fëmijëve për 10%.
Qeveria formoi një grup punues në të cilin janë përshirë zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështjet Ekonomike, Koordinim të Dikastereve Ekonomikë dhe Investimet Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska dhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, që të nisin procesin e negociatave për një marrëveshje kolektive me sindikatën përfaqësuese dhe për metodologjinë e rritjes së vazhdueshme të pagave në sektorin publik.
Në konkluzionet sipas kësaj pike është përfshirë detyrimi që Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës të nisë procesin e hartimit të ligjit për pagat në sektorin publik.
Qeveria gjithashtu e ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që të ndërmarrin të gjitha hapat për mbajtjen e mësimit në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve në kopshte, në përputhje me të drejtën e garantuar me Kushtetutë për arsim dhe përkujdesje parashkollore të fëmijëve , në përputhje me dispozitat e përcaktuara me ligj për zhvillimin e mësimit në kushte të grevës.
Qeveria ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që të sigurojnë pagesën e pagave në përputhje me dispozitat ligjore në kushte greve.
Qeveria ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që t’i dorëzojnë informacione Qeverisë për përgjigjen e SASHK-ut në lidhje me këto konkluzione, si dhe të kërkojë njoftim me shkrim se në bazë të cilit akt ligjor është ndërprerë mësimi në shkollat fillore dhe të mesme dhe në bazë të cilit akt ligjor stafi i institucioneve parashkollore refuzon t’i pranojë fëmijët.
Qeveria u bën thirrje drejtuesve të institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe edukatorëve të institucioneve parashkollore që të vazhdojnë mësimin, nxënësit të kthehen në shkolla, ndërsa prindërit të vazhdojnë t'i çojnë fëmijët në kopshte.
Në mbledhjen e sotme u miratua Vendimi për dhënien e pëlqimit të Shpalljes Publike për dhënien me qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore për sipërfaqe mbi 3 hektarë, përmes ankandit publik elektronik, të cilin do ta zbatojë komisioni i formuar në mënyrë të veçantë.
Dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit për sipërfaqe mbi 3 hektarë është pjesë e pakos së masave të parashikuara me Planin Nacional të Prodhimit Ushqimor, i cili tashmë zbatohet, duke nxitur bujqit të fokusohen në rritjen e prodhimit të kulturave bujqësore strategjike.
Qëllimi i kësaj mbështetjeje është ballafaqimi me krizën botërore, sigurimi i ushqimit lehtë të qasshëm dhe të lirë dhe pavarësia e importit.
Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informatën për pagesën e pensioneve për muajin prill 2022 dhe e ngarkoi Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të dhënat për pensionet t’ia dorëzojë bankave komerciale më së voni deri më 21.04.2022, të cilat do duhet të sigurojnë që pensionistët të mund të disponojnë me pensionet e prillit përmes rrjetit të bankomateve dhe rrjetit tregtar nga data 26.04.2022
Më këtë informatë, Qeveria u rekomandon bankave komerciale që përmes filialeve dhe ekspoziturave të saj të sigurojë pagesën e pensioneve në dorë për klientë që nuk përdorin kartela, në katër grupe sipas renditjes së mëposhtme dhe lartësisë së pensionit:
- Për pensione në lartësi deri në 11.000 denarë, pagesa të bëhet më 26.04.2022 (e martë);
- Për pensione në lartësi prej 11.001-14.000 denarë, pagesa do të bëhet më 27. 04.2022 (e mërkurë);
- Për pensione në lartësi prej 14.001-18.000 denarë, pagesa do të bëhet më 28. 04.2022 (e enjte); dhe
- Për pensionet në lartësi mbi 18.001 denarë, pagesa të bëhet më 29. 04.2022 (e premte).
Në këtë mbledhje Qeveria e vërtetoi tekstin e propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontroll kufitar.
Me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për kontroll kufitar bëhet harmonizimi me Direktivën 2016/681 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian prej datës 27 prill 2016 për përdorimin e të dhënave nga evidentimi i të dhënave të udhëtarëve për parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të terrorizmit dhe krimeve të rënda.
Në mbledhjen e sotme Qeveria vendosi për vendimet e Komisionit për çështje të personelit dhe konkludoi që t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare për Komunikacionin Postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” të shkarkojë Jani Makradulin nga pozita kryetari i Këshillit Drejtues dhe drejtori i Përgjithshëm dhe në këtë pozicion ka zgjedhur Vasko Stefanovin, i cili u shkarkua nga detyra e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e shkarkoi nga detyra e drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Kërstevskin, ndërsa ushtruese detyre drejtoreshë e Fondit të Sigurimit Shëndetësor e emëroi Magdalena Filipovska-Grashkoska, e cila u shkarkua nga detyra kryetare e Këshillit Inspektues.
Për ushtrues detyre kryetare e Këshillit Inspektues në mbledhjen e sotme emëroi Daniela Rendevskën.