Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski me një letër drejtuar kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, Kryepeshkopi i Ohrit z.z. Stefan, Sinodit të KMO – AO, si dhe me video fjalim drejtuar klerit dhe monastizmit, të gjithë besimtarëve ortodoksë në vendin tonë, ua uroi festën e madhe Ringjallja e Krishtit – Pashkët.
Në vazhdim të kumtesës, e përcjellim në mënyrë të plotë përmbajtjen e letrës me urimet e Kryeministrit Kovaçevski me rastin e Pashkëve:
“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë besimtarëve ortodoksë në vendin tonë ua uroj festën e Ringjalljes së Krishtit – Pashkët.
Këtë vit festën më të madhe në kalendarin e besimtarëve ortodoksë e festojmë në një kohë kur e tërë bota kalon nëpër një krizë ekonomike globale dhe nëpër sfida të rënda siç është lufta në Ukrainë me të gjitha pasojat e saj.
Pashkët janë festë shpëtimi. Ajo shënon fundin e vuajtjeve të Krishtit dhe kremtimin e fitores mbi vdekjen. Na kujton nevojën për të rishqyrtuar dhe me modesti si palë të përgjegjshme komunitetit tonë t’i sjellim vetëflijim për të mirën e të gjithëve, duke mbrojtur veten dhe shëndetin e të afërmve.
Në këto momente dramatike për kohën tonë bashkëkohore, ditët e Pashkëve janë një mundësi që t'i drejtohemi thirrjes për të krijuar vepra të mira dhe për të treguar solidaritet, respekt dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit.
Pashkët janë edhe festë shprese dhe besoj se nga festa me të cilën kremtojmë shpëtimin të gjithë do të dalim më të fortë e më të mirë.
Me atë shpresë për ditë më të mira, le të mbushemi me harmoni dhe falje, paqe e begati, pa përçarje e konflikte.
Ju uroj që festat t'i kaloni me shëndet dhe forcë shpirtërore!
Gëzuar festën e madhe krishtere - Pashkët!
Krishti u ringjall! Me të vërtetë u ringjall!”