Në kuadër të mbledhjes tematike të Qeverisë, e cila u mbajt me rastin e shënimit të 100 ditëve të mandatit të Qeverisë, Kryeministri Dimitar Kovaçevski u përqendrua në arritjet e suksesshme që në periudhën e kaluar janë realizuar me qëllim të parandalimit të krimit të organizuar me narkotikë.
“Rezultatet e qëndrimit pa kompromis në parandalimin e tregtisë së paligjshme me drogë janë evidente dhe këto aksione policore pozicionojnë shtetin si një faktor të besueshëm në luftën kundër tregtisë së paligjshme të substancave narkotike të ndaluara”, tha Kovaçevski, duke theksuar se për vetëm tre muaj janë sekuestruar shtatë kilogramë heroinë në vlerë prej afro 300 mijë euro, rreth 1.2 ton substanca psikotrope për prodhimin e amfetaminës në vlerë prej miliona eurosh dhe mbi 2.2 ton marihuanë në vlerë mbi 5 milionë euro.
Duke u ndalur në rikonstruksionin dhe renovimin e kryer të stacioneve policore dhe vendosjen e sistemit të objekteve moderne dhe të pajisura për punë profesionale dhe efikase të policisë, Kryeministri Kovacevski, në fjalimin e tij me rastin e të arriturave pozitive në 100 ditët e kaluara, theksoi motivimin e punonjësve të policisë të cilët në mënyrë ligjore, profesionale, transparente dhe të përgjegjshme garantojnë sigurinë e plotë personale dhe sigurinë pronësore të qytetarëve dhe pa dallim ballafaqohen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Një nga gjërat më të rëndësishme është se me punën e përkushtuar të policisë sonë vazhdon trendi i uljes së numrit të viktimave në aksidente trafiku. Në tre muajt e parë të vitit 2022 janë 18 viktima, që është për 10 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në muajin mars të vitit 2022 kemi katër viktima, një numër që është katër herë më i ulët se në vitin 2021”, tha Kovaçevski.
Në fjalimin e tij me rastin e 100 ditëve të mandatit të Qeverisë, ai numëroi të arriturat pozitive në fushën e drejtësisë, gjegjësisht vazhdimin me sukses të realizimit të digjitalizimit dhe konkretisht vënien në përdorim të pajisjeve informatike–kompjuterike në sallat gjyqësore të pesë gjykatave themelore.
“Sigurimi i shërbimeve digjitale për qytetarët është prioriteti ynë. Ofrojmë mënyrë të shpejtë, të lehtë dhe të thjeshtë të kërkimit dhe marrjes së dokumenteve apo të dhënave për çdo qytetar në vendin tonë. Certifikatat elektronike nga evidenca kriminale për personat fizikë për momentin janë në dispozicion si shërbim i portalit nacional uslugi.gov.mk. Pothuajse i njëjti shërbim është në dispozicion edhe për personat juridikë. Me sukses është zbatuar edhe sistemi për ndihmë juridike falas për qytetarët. Është rritur numri i kërkesave të miratuara për ndihmë juridike dytësore për mbi 50%, ndërsa ndihmë juridike parësore kanë marrë pothuajse 20% më shumë qytetarë në krahasim me vitin paraprak”, theksoi Kovaçevski.
Ai u përqendrua edhe në përgatitjen e ligjeve për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ligjet që janë në procedurë qeveritare, ndërsa kanë për qëllim ruajtjen dhe sigurimin e dinjitetit dhe përgjegjësisë së profesioneve, gjyqtarit dhe prokurorit në mënyrë që të mbrohen nga presionet gjatë vendimmarrjeve.