Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski mori pjesë në ngjarje organizuar nga BNJVL-ja, me rastin e 50 vjetorit. Në fjalimin e tij Kryeministri Kovaçevski foli për mbështetjen e Qeverisë ndaj komunave, për rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha palëve në pushtetin qendror, lokal, si dhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve në ndërtimin e kapaciteteve demokratike për prosperitet dhe përparim ekonomik. Në ngjarjen solemne fjalie mbajtën edhe Kejt Mari Bërnz, ambasadore e SHBA-ve, Shtefen Hudolin, shef për bashkëpunim i Delegacionit të BE-së, si dhe kryetarja e BNJVL-së, Danella Arsovska.
Në vazhdim, fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:
“Në fillim më lejoni t’ua uroj jubilenë 50 vjetorin e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale – BNJVL.
Kam nderin dhe kënaqësinë që sot jemi të gjithë bashkë, për të dhënë një sinjal të qartë për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në ndërtimin e kapaciteteve demokratike për prosperitet dhe progres ekonomik.
Qeveria e mbështet fuqishëm zhvillimin e balancuar ekonomik rajonal dhe për këtë jemi duke realizuar projekte infrastrukturore për përmirësimin e kushteve të jetesës në komuna, si dhe projekte që rrisin pavarësinë e tyre financiare.
Komuna të zhvilluara do të thonë ekonomi e fuqishme.
Në atë drejtim, në vitin 2018, me 50 milionë euro, komunave ju ndihmua që të kryejnë shërbimin e 50% të borxhit të tyre, për të çliruar potencialin zhvillimor të komunave, i cili prej vitesh ishte grumbulluar në borxhe dhe llogari të bllokuara.
Tani janë duke u zbatuar zgjidhjet e përhershme ligjore për funksionimin sistematik dhe punën e pavarur të komunave për pavarësi financiare, ngritjen e kapaciteteve dhe kushteve për tërheqjen e investimeve të reja për zhvillim ekonomik.
Me ndryshimet në Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale përforcojmë decentralizimin dhe mundësojmë bartjen maksimale të mundshme të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal.
Për këtë qëllim është duke u zbatuar reforma për promovimin e decentralizimit fiskal përmes tri shtyllave kryesore, përkatësisht rritjes së të hyrave komunale, shlyerjes së borxhit, si dhe operacioneve të brendshme, transparente dhe të përgjegjshme.
Projektet infrastrukturore për komunat janë të një rëndësie të madhe, prandaj Qeveria me programin TAV realizon projekte infrastrukturore në mbarë vendin, pothuajse në të gjitha komunat.
Konkretisht janë duke u realizuar 94 projekte infrastrukturore që janë të kahëzuar drejt nevojave të qytetarëve me një vlerë totale prej 49,7 milionë euro.
Disa nga projektet kanë përfunduar, disa janë në fazën përfundimtare dhe duhet të realizohen në vitin 2022, ndërsa afati i fundit për përfundimin e të gjitha projekteve është viti 2023.
Këto janë projekte reale që Qeveria i realizon për nevojat e përditshme reale të qytetarëve, si rregullimi i rrjeteve të ujësjellësit, shtretërve të lumenjve, objekteve të shkollave, qendrave rinore, rrugëve lidhëse, shtëpive të kulturës dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore të mbështetura dhe të promovuara nga kryetarët e të gjitha komunave.
Qeveria, si edhe deri më tani, me mjete buxhetore, me mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare, do të realizojë projekte që synojnë posaçërisht zhvillimin e komunave.
Para se të përmend projektet e infrastrukturës për komunat, dua të përmend se Qeveria në konsultim me të gjitha palët miratoi një pako masash kundër krizës për të zbutur presionet e çmimeve nga kriza energjetike dhe rritjen e çmimeve të ushqimeve në berzat botërore. Projektet e rëndësishme synojnë pikërisht zhvillimin komunal.
Me projektin “BE për komunat” me të cilin udhëheq ministri i Vetëqeverisjes Lokale, në tre vitet e ardhshme në komunat Veles, Radovish, Tetovë, Aerodrom, Vrapçisht, Ohër, Strumicë dhe qytetin e Shkupit do të realizohen projekte të mëdha inovative me vlerë totale prej 5.5 milionë euro.
Sukses të madh në realizim ka edhe Projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale (MSIP), për mbi 35 komuna në vend, i zbatuar nga Ministria e Financave me mbështetjen e Bankës Botërore me realizimin e 99% të investimeve kapitale të planifikuara në vitin 2020.
Në vitin 2021 përmes këtij projekti janë realizuar investime kapitale në vlerë prej 800 milionë denarë.
Në kuadër të buxhetit për MSIP projektin, parashihet realizim i më shumë projekteve, mes të cilave edhe ai i përmirësimit të efikasitetit energjetik në shtet.
Me Projektin për efikasitet energjetik në sektorin publik janë siguruar mjete në vlerë të përgjithshme prej 25 milionë euro, prej tyre 5 milionë euro janë paraparë për objekte shëndetësore dhe 10.5 milionë euro për projekte për komunat.
Me mjetet në këtë fazë me efikasitet energjetik do të bëhen 18 institucione shëndetësore, si dhe objekte për të cilat 17 komuna kanë dorëzuar 54 projekte.
Projektin për lidhjen e rrugëve lokale, prej 70 milionë euro, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka filluar ta zbatojë në vitin 2019 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2024.
Është duke u realizuar në 80 komuna, janë duke u zhvilluar aktivitete ndërtimore për rehabilitimin, rindërtimin dhe përmirësimin e rrugëve lokale me gjatësi të përgjithshme deri në 450 kilometra.
Të gjitha komunat janë mbështetur me fonde prej 100 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës më të mirë të ujësjellësit dhe stacioneve për spastrimin e ujërave.
Ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një fond shtesë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Ka vërtet shumë projekte të vlefshme që janë duke u realizuar nëpër komuna, do të ketë edhe në të ardhmen dhe besoj se bashkë me të gjitha kapacitetet do të shfrytëzojmë mekanizmat që kemi në dispozicion për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Qeveria mbështet fuqishëm realizimin e investimeve infrastrukturore, që do të thotë zhvillim për komunat, për qytetarët, për investime të reja, punësim dhe zhvillim ekonomik të gjithë vendit.
Çdo krizë është një mundësi, besoj shumë se nga kjo krizë botërore ekonomike dhe energjetike do të dalim më të fuqishëm si vend, më të bashkuar dhe do të punojmë së bashku me një synim të vetëm për prosperitet dhe progres për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.
Edhe njëherë, urime të gjithëve jubilenë!
Ju falënderoj për vëmendjen”.