Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të rregullt të 42-të i pranoi propozimet e Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizës të përcaktuara sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive.
Në përputhje me këto propozime, Qeveria miratoi konkluzion sipas të cilit ndërpriten së zbatuari të gjitha masat kufizuese, përveç mbajtjes së detyrueshme të maskave mbrojtëse në institucionet shëndetësore, barnatoret dhe institucionet për kujdes të të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Me konkluzionin nga mbledhja, Qeveria i riafirmoi rekomandimet për respektimin dhe praktikumin e e masave themelore parandaluese për mbrojtje, siç janë mos grupimi dhe mbajtja e distancës fizike, mbajtja e maskave mbrojtëse në vende publike, veçanërisht në hapësirë të mbyllur kur nuk ka mundësi për distancë fizike, si dhe higjiena e rregullt personale, ajrosja e hapësirave të mbyllura dhe vetizolimi në kushte shtëpie në rast të simptomave të sëmundjeve të sistemit respirator.
Me konkluzionet nga mbledhja e Qeverisë, shtëpive të shëndetit u rekomandohet që të intensifikojnë vaksinimin në terren të të moshuarve mbi 80 vjet për shkak të imunitetit të ulët të kësaj grupmoshe, si dhe të vazhdojë vaksinimi te punonjësit shëndetësorë.
Në këtë mbledhje Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për nevojën e shpalljes së Liqenit të Ohrit për zonë e mbrojtur në kategorinë III – monument natyror.
Si përfundim me këtë Informacion, Qeveria miratoi Vendim për pranimin e propozimit dhe ngarkoi Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që deri më 30 qershor të vitit 2022 të zhvillojë debat publik për propozimin, në bazë të të cilit do të përpilohet propozimi përfundimtar për shpalljen e Liqenit të Ohrit për zonë e mbrojtur në kategorinë III-monument natyror.
Kjo nismë vjen në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit për të mundësuar: mbrojtje, ruajtje dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të vlerave natyrore, caktim të një subjekti për menaxhim që do të kujdeset për zonën e mbrojtur dhe miratim të një Plani për menaxhim në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e natyrës.
Me shpalljen do të arrihet progres në lidhje me implementimin e legjislacionit nacional për mbrojtjen e natyrës, Strategjinë Nacionale për Mbrojtjen e Natyrës me Plan Veprimi (2017-2027), Strategjinë Nacionale për DiversitetBiologjik me Plan Veprimi për periudhën (2018-2023), si dhe progres në zbatimin e detyrimeve të direktivave të BE-së për vendbanimet dhe shpendët, detyrime nga konventat ndërkombëtare, të cilat janë ratifikuar nga vendi ynë, siç janë Konventa për Diversitet Biologjik, Konventa e Bernës, CITES, Konventa e Bonit, Konventa e Ramsarit dhe të tjera.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e miratoi tekstin e propozim-ligjit për ratifikimin e Konventës për kontratat për zgjedhjen e gjykatës kompetente.
Konventa për kontratat për zgjedhjen e gjykatës kompetente, e miratuar në kuadër të Konferencës së Hagës për të Drejtat Ndërkombëtare Private në Hagë, më 30 qershor të vitit 2005, ka për qëllim të sigurojë efikasitetin e marrëveshjeve për përzgjedhjen e gjykatës (të njohura edhe si “klauzola të përzgjedhjes së forumit” ose “klauzola të juridiksionit”) ndërmjet palëve në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare.
Konventa paraqet një instrument që do të mundësojë që mënyra gjyqësore e zgjidhjes së kontesteve të bëhet një alternativë reale dhe tërheqëse e arbitrazhit tregtar ndërkombëtar, ndërkohë duke u përpjekur të sigurojë siguri më të madhe ligjore për biznesin ndërkufitar dhe të krijojë klimë më të favorshme për tregtinë dhe investimin ndërkombëtar, siç thekson Oda Ndërkombëtare Tregtare.