Zëdhënësit e Qeverisë, Muamet Hoxha dhe Dushko Arsovski në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan më në detaje për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 42-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve me interes të publikut.
Zëdhënësit informuan se Qeveria i pranoi propozimet e Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizës të përcaktuara sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Në përputhje me këto propozime, Qeveria miratoi konkluzion sipas të cilit ndërpriten së zbatuari të gjitha masat kufizuese, përveç mbajtjes së detyrueshme të maskave mbrojtëse në institucionet shëndetësore, barnatoret dhe institucionet për kujdes të të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara, si dhe në transportin publik.
Në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësit informuan se Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për nevojën e shpalljes së Liqenit të Ohrit për zonë e mbrojtur në kategorinë III – monument natyror. Si përfundim me këtë Informacion, Qeveria miratoi Vendim për pranimin e propozimit dhe ngarkoi Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që deri më 30 qershor të vitit 2022 të zhvillojë debat publik për propozimin, në bazë të të cilit do të përpilohet propozimi përfundimtar.
Kjo nismë vjen në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit për të mundësuar: mbrojtje, ruajtje dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të vlerave natyrore, caktim të një subjekti për menaxhim që do të kujdeset për zonën e mbrojtur dhe miratim të një Plani për menaxhim në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e natyrës.
Me shpalljen do të arrihet progres në lidhje me implementimin e legjislacionit nacional për mbrojtjen e natyrës, Strategjinë Nacionale për Mbrojtjen e Natyrës, si dhe me një sërë detyrimesh nga direksionet e BE-së dhe më shumë konventa ndërkombëtare.
Në konferencën për shtyp u theksua se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë vitet e fundit ka treguar kapacitet të jashtëzakonshëm demokratik dhe respekt për mediat dhe punëtorët mediatik. Dëshmi e këtij progresi është ngritja për 33 vende në indeksin e lirisë së shtypit të publikuar në raportin e vitit 2022 të “Reporterë pa kufij”. Sipas raportit të fundit, vendi ynë është ngjitur nga vendi i 90-të në vendin e 57-të. Qeveria, siç u nënvizua, vazhdon të kujdeset për lirinë e shprehjes mediatike dhe së bashku me gazetarët, punonjësit mediatik dhe qytetarët, kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Në interes të mediave se kur hapet klubi maqedonas në Bllagoevgrad, të paralajmëruar nga Kryeministri Kovaçevski, zëdhënësit informuan se Kryeministri njoftoi se planifikon të informojë drejtpërdrejt kolegun e tij Petkov se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut synon të hapë një qendër të re kulturore në Bllagoevgrad, ndërsa emri i qendrës do të përcaktohet në komunikim me Institutin e Historisë.