Kovaçevski: E ardhmja e gjuhës sonë është e ardhmja e atdheut tonë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mbajti fjalim në manifestimin me rastin e Ditës së gjuhës maqedonase.

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se Qeveria në mënyrë të sinqertë dhe të fuqishme është e përkushtuar për përkujdesjen dhe avancimin e gjuhës maqedonase, sepse gjuha jonë është identiteti ynë kombëtar dhe kulturor dhe në këtë drejtim shpallja e 5 majit për Ditë të gjuhës maqedonase, për nder të ditës kur në vitin 1945 Qeveria Popullore e Republikës Popullore të Maqedonisë e miratoi alfabetin e gjuhës maqedonase dhe alfabetin cirilik si alfabet zyrtar, është një nga detyrimet për përmbushjen e këtij zotimi, që ndërmori Qeveria nga viti 2017 e në vazhdim.

Në manifestimin, në të cilin morën pjesë përfaqësues të shumtë të publikut politik, shoqëror dhe akademik, fjalime mbajtën edhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, drejtoresha e Institutit të Gjuhës Maqedonase, Elena Jovanova-Grujovska, kryetari i Këshillit të gjuhës maqedonase, profesori Ludmil Spasov,  ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trnçevska dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.


Në vazhdim të kësaj kumtese, e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski:

“Gjuha është atdheu ynë”

Me këtë mesazh, themeluesi i gjuhës bashkëkohore maqedonase, Bllazhe Koneski, na la një zotim për ta ruajtur, përkujdesur dhe avancuar atë, si një nga shtyllat e identitetit tonë.

Shpallja e 5 majit për Ditë të gjuhës maqedonase, për nder të ditës kur në vitin 1945 Qeveria Popullore e Republikës Popullore të Maqedonisë e miratoi alfabetin e gjuhës maqedonase dhe alfabetin cirilik, si alfabet zyrtar, ishte një nga detyrimet për përmbushjen e këtij zotimi, që ka ndërmarrë Qeveria nga viti 2017 e në vazhdim.

Sot gjuha maqedonase me veçantinë e saj njihet në mbarë botën. E shkruar në kartën e identitetit të vendit tonë në familjen e madhe të kombeve dhe shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Qeveri sinqerisht dhe fuqishëm është e përkushtuar për përkujdesjen dhe avancimin gjuhës maqedonase, sepse gjuha jonë është identiteti ynë kombëtar dhe kulturor.

E vazhdojmë mbështetjen e një numri të madh të veprave letrare nga veprimtaria botuese e Institutit të gjuhës maqedonase, si kontribut për pasurimin dhe avancimin e gjuhës maqedonase.

Gjuha maqedonase është gjuhë e Bllazhe Koneskit, Gane Todorovskit, Danica Ruçigajit, Ante Popovskit, Sllavko Janevskit, Mateja Matevskit, Kata Misirkova Rumenovës, e Petre M. Andeevskit, Vidoe Podgorec, Olivera Nikollovës, Olivera Qorvezirovska, Rumena Buzharovska, Lidija Dimkovska dhe një mori shkrimtarësh të tjerë të së kaluarës  dhe të së tashmes, të cilët gjatë viteve kanë lënë mijëra libra të shkruara nga pena e tyre maqedonase.

Janë shkolluar, shkollohen dhe do të vazhdojnë të shkollohen në gjuhën maqedonase edhe gjenerata akademikësh të suksesshëm, mjekë, inxhinierë, gazetarë, punonjës të kulturës dhe gjithë të tjerët.

Sot ne kemi 300 studentë në universitetet e Ankarasë, Stambollit, Rijekës dhe Budapestit me studime deridiplomike dhe pasdiplomike. Gjuha, letërsia dhe kultura maqedonase mësohen edhe në universitetet e Torontos, Lubjanës dhe Mariborit, Zagrebit, Londrës, Poznanit, Novi Sadit, Bërnos, Bratisllavës dhe qendrave të tjera universitare.

Vitin e kaluar, në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme të UNESKO-s është përfshirë edhe programi për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Bllazhe Koneskit, si më meritori për vendosjen e gjuhës standarde maqedonase.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2019, pasi 5 Maji u shpall Dita e gjuhës maqedonase, ndërmori një sërë aktivitetesh për afirmimin e saj më të gjerë dhe të vazhdueshëm.

Vitin e kaluar, si iniciativë e Qeverisë, në bashkëpunim me Institutin për Gjuhën Maqedonase, promovuam platformën e internetit makedonski.gov.mk në të cilën është vendosur “Fjalori interpretues i gjuhës maqedonase”.

Sot, fjalori interpretues digjital i gjuhës maqedonase është në dispozicion për të gjithë ata që dëshirojnë të shfrytëzojnë gjuhën maqedonase. Për qytetarët e vendit tonë, bashkatdhetarët tanë nga e gjithë diaspora maqedonase dhe individët e tjerë të interesuar, shkencëtarët dhe afaristët në mbarë botën, pa asnjë kompensim.

Fjalori interpretues digjital i gjuhës maqedonase, si burim i hapur, është në dispozicion falas për gjuhëtarët, si dhe për të gjithë studiuesit e gjuhës maqedonase në botë, për ta përdorur si burim për krijimin e shumë fjalorëve të tjerë të specializuar dhe studimeve të tjera.

Fjalori interpretues pasoi nismën e mëparshme të Qeverisë kur u digjitalizua Drejtshkrimi i gjuhës maqedonase.

Këto projekte të Qeverisë janë pjesë e prioriteteve kryesore për ndërtimin dhe avancimin e vazhdueshëm të korpusit të veprave të digjitalizuara në gjuhën maqedonase për përfshirje në thesarin botëror të gjuhëve. Si shprehje e kujdesit tonë të vazhdueshëm për gjuhën maqedonase dhe paraqitjen e saj para linguistikës botërore.

Festimi i sivjetshëm i Ditës së gjuhës maqedonase na obligon edhe një herë që të dërgojmë një mesazh të qartë: Kjo Qeveri është e përkushtuar sinqerisht dhe fuqishëm për t’u kujdesur dhe promovuar gjuhën maqedonase, monumentin e përjetshëm të ekzistencës sonë si komb.

Edhe sot prioritet i ynë mbetet nxitja e zhvillimit dhe afirmimit të gjuhës maqedonase si investim i vazhdueshëm për të ardhmen e saj. E ardhmja e gjuhës sonë është e ardhmja e atdheut tonë.

Gjuha është materie e gjallë dhe ne më së miri do të tregojmë se kujdesemi për të me mënyrën se si e flasim, si e shkruajmë, si e lexojmë gjuhën letrare maqedonase. Kështu japim një shembull të gjuhës me të cilën duam të rriten brezat e rinj.

Ta ruajmë dhe ta avancojmë dhe t'ua përcjellim me dinjitet të gjithë brezave pas nesh.