Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për televizionin Sitel tha se vendi ka një qeveri legjitime që po ballafaqohet me të gjitha sfidat siç janë kriza shëndetësore, ekonomike dhe energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Prandaj them se kërkesa e opozitës është e pasinqertë. Ai takim i liderëve nuk u kërkua të zgjidhte problemet në vend, por u kërkua me një qëllim të vetëm, praktikisht si një lloj shantazhi, të ulej dhe të merrej vesh për një datë për zgjedhje të parakohshme. Në kushte të tilla ajo që më së paku i duhet shtetit janë zgjedhjet, sepse ne e dimë se zgjedhjet janë periudhë kur aktiviteti ekonomik ndalet plotësisht dhe se të gjitha proceset kur fokusohet në organizimin e zgjedhjeve do të jenë një barrë tjetër për ekonominë e vendit”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski shtoi se Qeveria të gjitha vendimet i merr me dialog, veçanërisht vendimet më të rëndësishme dhe më të mëdha siç ishin paga minimale dhe pensionet.
Gjithashtu, Qeveria në fillim të mandatit të saj në 100 ditët e kaluara, tha Kovaçevski, ka miratuar një pako prej 26 masash kundër krizës me qëllim të përballjes me të gjitha krizat me të cilat po përballet Evropa dhe vendi ynë dhe ajo pako e masave është miratuar përmes gjithëpërfshirjes dhe dialogut të gjerë me të gjitha odat ekonomike, me përfaqësues të kompanive më të mëdha, publikun ekspert dhe atë akademik.
“Në atë takim nuk ishin të pranishëm vetëm dy ekspertë të cilët janë anëtarë të organeve drejtuese të VMRO-DPMNE-së, që do të thotë se një ofertë e tillë është një hap praktikisht i pasinqertë për të arritur qëllimet ditore politike”, tha Kovaçevski, duke shtuar se Kuvendi është vend për të gjitha fushat kyçe ku duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike.