Sot në Paris, zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi ka mbajtur fjalim në konferencën për Evropën Juglindore mbi kapitalin njerëzor, migracionin dhe si të formojmë të ardhmen së bashku, në organizim të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Së bashku me zëvendëskryeministrin Bytyqi në panel folën edhe ministri i bashkëpunimit zhvillimor në Slloveni Stanislav Rascan, ministri i tregtisë së jashtme dhe marrëdhënieve ekonomike në Bosnje dhe Hercegovinë Stasha Kosharac, ministrja e industrisë, sipërmarrësisë dhe tregtisë në Kosovë Rozeta Hajdari, sekretari i shtetit për tregti të jashtme dhe bashkëpunimit zhvillimor në Kroaci Zdenko Luciq, ndërsa paneli u moderua nga drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Patricia Danci.
Në vazhdim mund ta ndiqni fjalimin integral të zëvendëskryeministrit Bytyqi:
„Jam mirënjohës që më ftuat në këtë ngjarje, por jam gjithashtu mirënjohës që po na udhëzoni në procesin e bërjes së politikave, duke na ofruar njohuri dhe ekspertizë në secilin vend në procesin e përgatitjes së Studimit për migracionin e punës në Ballkanin Perëndimor: hartimi i skemave, zgjidhja e sfidave dhe shfrytëzimi e përfitimeve.
Raporte të tilla na ndihmojnë ne, politikëbërësve, të krijojmë politika cilësore të bazuara në një gamë të gjerë provash dhe rekomandimesh politikash që mund të zbatohen, të cilat do të ofrojnë rritje ekonomike më intensive dhe të qëndrueshme, duke shërbyer në të njëjtën kohë si një pasqyrë e avantazheve tona konkurruese si rajon.
Por këtu dua të theksoj dhe ta bëj të qartë se ky studim duhet të na ndihmojë të krijojmë një pasqyrë shumë më të qartë të avantazhit tonë konkurrues të ndërsjellë dhe se si mund të rritemi së bashku, sepse e ardhmja jonë është e lidhur dhe tani, më shumë se kurdoherë, ne kemi nevojë për një qasje holistike, gjithëpërfshirëse dhe të përbashkët për politikëbërjen që fokusohet në rritjen.
Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë skenarët janë që migrimi i të rinjve dhe ikja e kokave që tashmë po ndodh, do të ndodhë edhe më shumë.
Çfarë mund të bëjë një qeveri kombëtare dhe çfarë ka dështuar të bëjë apo të arrijë? Ndoshta të gjithë do të thonë, harmonizoni politikat me qëllimet globale si OZHQ (Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm) ose qëllime të tjera më të larta të BE-së. Maqedonia e Veriut nuk mbetet pas gjithë kësaj: ne miratuam Agjendën 2030 dhe Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm në vitin 2016 dhe i përsëritëm në vitin 2018 dhe ne përpiqemi të mbajmë paradigmën e agjendës - të mos lëmë askënd pas.
Kuvendi kombëtar në dhjetor të vitit 2021 miratoi Rezolutën e re për politikat e migracionit dhe planin e veprimit 2021-2025 për vendin.
Prandaj, më duhet të them se nuk kemi mbetur prapa në krijimin e një dokumenti të mirë dhe gjithëpërfshirës: Strategjia Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me diasporën për periudhën 2019-2023.
Por akoma, a mjafton kjo? Apo ka diçka tjetër që mund të bëjmë?
Për herë të parë është planifikuar hapja e vendeve të reja të punës së bashku me punëdhënësit, të gjitha masat zbatohen në bashkëpunim me të gjithë faktorët dhe sipas nevojave reale në vend në nivel lokal. Prandaj edhe kemi zbatuar një reformë të arsimit të dyfishtë për të ofruar më shumë fleksibilitet dhe shkolla profesionale të përgjegjshme që do të plotësojnë nevojat e punëdhënësve dhe të tregut të punës.
Atraktiviteti i shkollave profesionale dhe aftësimit është përmirësuar, gjë që reflektohet në rritjen e numrit të nxënësve në arsimin profesional, përkatësisht në vitin shkillor 2021-2022 numri i nxënësve në shkollat profesionale është rritur për 6% krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Në të njëjtën kohë, Qeveria beson se investimi në kompani inovative dhe startap do të ofrojë mundësi për të rinjtë në vend dhe do të reduktojë migrimin ekonomik. Për të treguar politikën tonë të qartë dhe gatishmërinë për të ndjekur idetë e të rinjve në zhvillimin e biznesit të tyre, ne kemi rritur portofolin e investimeve të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik. Portofoli aktual i investimeve të Fondit është në shumën totale prej rreth 100 milionë euro.
Ne krijojmë një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, politika të mira ekonomike që mund të na ndihmojnë të ndërtojmë një mjedis biznesi tërheqës dhe të parashikueshëm.
Siç e shoh unë, qëllimi nuk është mbyllja e të rinjve në vend, por krijimi i mundësive për ta që do t'u mundësojë të arrijnë potencialin e tyre të plotë në vendin e tyre, por në të njëjtën kohë, t'i bëjë ata mjaft konkurrues ndaj botës.
Migrimi është gjithashtu i zakonshëm në shtetet anëtare të BE-së, por atje njerëzit lëvizin nga një vend në tjetrin për punë dhe kjo është ajo që unë mendoj se ne duhet të përpiqemi, migrimi me dy drejtime në vend të një bilete njëdrejtimëshe, siç është në të vërtetë situata me Ballkanin Perëndimor.
Prandaj unë mbështes plotësisht të gjitha iniciativat që rrisin Bashkëpunimin Rajonal me qëllim të rritjes së konkurrencës së kapitalit njerëzor dhe ekonomive, pavarësisht nëse flasim për Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2021-2024 ose Iniciativën e Ballkanit të Hapur ose CEFTA ose ndonjë tjetër iniciativë në gjashtëshen nga Ballkani Perëndimor.
Pse, atëherë, ne ende nuk po arrijmë t'i mbajmë njerëzit tanë të bashkuar në vendet tona dhe në rajon?
Ajo që duhet të bëjmë është të mos shmangim problemet tona, por të fokusohemi tek ato dhe të flasim hapur për to, por më e rëndësishmja është të përfshijmë në dialog ata që janë më të prekurit. Ja çfarë kërkon nga ne ky brez i ri! Më bën përshtypje forca, ndershmëria dhe guximi i tyre për të thënë me zë të lartë atë që nuk është më e dobishme për ta ose atë që nuk janë të kënaqur, por edhe më shumë, për ta thënë atë që duan.
Me krenari them se kemi filluar të krijojmë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit e cila është një vizion afatgjatë për 20 vjet zhvillim dhe rritje të qëndrueshme të vendit tonë dhe në procesin e zhvillimit të tij, ne e bëjmë pikërisht këtë, i përfshijmë të gjithë, përpiqemi ta bëjmë procesin gjithëpërfshirës, veçanërisht për të rinjtë.
Do të doja që kur isha i ri dikush të më tregonte se në cilin vend do të jetoja, punoja dhe të siguroja jetën në 20 vitet që ishin para meje. Shpresoj që së bashku me të rinjtë të arrijmë të krijojmë këtë vizion, por jo vetëm kaq, shpresoj që së bashku të krijojmë atë të ardhme.
Më lejoni të përfundoj me këtë. Ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndajmë të njëjtën të kaluar dhe e njëjta gjë vlen edhe për të ardhmen tonë. Ne duhet, nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë, të rrisim avantazhet tona dhe t'i përdorim ato si një avantazh konkurrues për rajonin.
Dhe e gjithë kjo ndërkohë që ne po ecim rrugës drejt Bashkimit Evropian.
Kjo do të sigurojë që qytetarët tanë, veçanërisht të rinjtë, do të shohin një vizion dhe të ardhme të qartë dhe me këtë qartësi do të mund të identifikojnë më lehtë ambiciet e tyre dhe jetën që ata presin të jetojnë në vendet tona, në rajonin tonë. Dhe kjo është ajo që ne po bëjmë, për të cilën po punojmë, sepse kjo është e ardhmja që duam t’u ndodhë atyre".