Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, sot në Uashington ka takuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Bashkëpunim në Mbrojtje të SHBA-së, Xhejms Hërsh.
Bisedimet u përqëndruan në programet e bashkëpunimit të sigurisë, duke përfshirë prokurimin ushtarak, financimin ushtarak, arsimin ushtarak ndërkombëtar dhe ndihmën humanitare.
Petrovska theksoi se modernizimi i Armatës është prioritet kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes dhe se në këtë proces rol të rëndësishëm ka Agjencia për Siguri dhe Bashkëpunim në Mbrojtje e SHBA-së.
„Me padurim presim pjesën e parë të blerjes së transportuesve të blinduar më të sofistikuar të prodhimit amerikan për Armatën e Maqedonisë së Veriut. “Presim që gjashtë transportuesit e parë të blinduar të mbërrijnë në mes të verës dhe kjo do të jetë një kontribut serioz në procesin e modernizimit të Armatës dhe një konfirmim shtesë i besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. “, tha Petrovska.
Në takim, ministrja falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në këtë segment. Përkatësisht, nga viti 1996 e deri më sot, Shtetet e Bashkuara kanë investuar gati 150 milionë dollarë në pajisje dhe modernizim të Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Drejtori i Agjencisë, Hërsh, tha se Maqedonia e Veriut është aleat i ngushtë i SHBA-së dhe se bashkëpunimi në fushën e modernizimit dhe zhvillimit të Armatës do të vazhdojë të zhvillohet.