Kovaçevski priti liderët e rajonit: Me Ballkanin e Hapur hapim perspektiva të reja për shtetet tona

Kryeministri Dimitar Kovaçevski bashkë me kolegët e tij nga Qeveria, në vilën “Biljana” në Ohër priti liderët nga rajoni, të cilët nesër, do të marrin pjesë në pjesën zyrtare të Samitit të “Ballkanit të Hapur”.

Kovaçevski para fillimit të darkës së punës u dëshiroi mirëseardhje Presidentit Serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrave të Shqipërisë, Edi Rama, Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Zoran Tegeltija, duke theksuar se me nder të veçantë i mirëpret në Samitin, kushtuar të ardhmes së nismës “Ballkani i Hapur”.

“E theksoj të ardhmen, për shkak se dëshmuam se Ballkani i Hapur e lë pas të kaluarën. Në vend të mureve si më parë, Ballkani i Hapur ndërton ura. Hap perspektiva të reja për shtetet tona, popujt tanë, ekonomitë tona dhe shoqëritë tona”, tha Kovacevski në  fjalimin përshëndetës para darkës së punës me kolegët nga rajoni.

Kovaçevski theksoi se iniciativa “Ballkani i Hapur” i fshin kufijtë mes popujve të vendeve të rajonit dhe përmes bashkëpunimit të përbashkët dhe lidhjes së ndërsjellë po arrin vizionin e përbashkët për ndarjen e vlerave evropiane.

“Me Ballkanin e Hapur lidhemi me synim të qartë, të hapur dhe publik që popujt tanë t’i ndjejnë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të lehtësimit të cilat i sigurojmë.

Me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Rama ramë dakord se evropianizimi dhe implementimi i vlerave evropiane në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri nuk ka arsye për të pritur. Edhe këtë herë dërgojmë porosi se ftesa për t'iu bashkuar nismës Ballkani i Hapur është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Sonte me ne janë Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe shpresoj se kjo nismë do të zgjerohet edhe më tej”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke porositur se ftesa për t’iu bashkuar nismës  “Ballkani i Hapur” është e hapur për të gjitha vendet e rajonit.

Duke i përshëndetur të ftuarit, Kryeministri Kovaçevski dëshiroi Samit të suksesshëm dhe të prosperuar me ide të reja për zhvillimin e rajonit dhe përfitime për të gjithë qytetarët.