Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.
Në takim u përcoll qëndrim i qartë se Kroacia vazhdon në mënyrë aktive të mbështesë perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut. U vlerësua se fillimi i negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në ka rëndësi për stabilitetin e rajonit, ndërsa me këtë edhe për vetë Unionin. Është theksuar se vendi ynë praktikon vlerat europiane në planin politik dhe reformues dhe se hapi i shumëpritur në integrimin europian është i merituar dhe i domosdoshëm.
Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e madhe dhe miqësore të Republikës së Kroacisë për të gjitha proceset e rëndësishme, demokratike në vend. Ai tha se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të praktikojë vlerat evropiane dhe theksoi se orientimi i tillë politik është i rëndësishëm për vendin dhe rajonin dhe për BE-në.
“Jemi plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE-së sa i përket luftës në Ukrainë. Në mënyrë parimore jemi të vendosur në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Jemi të përkushtuar për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve. Këto janë pozitat me të cilat Qeveria vazhdon të punojë”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Në takim u konstatua se 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë shënon bashkëpunim të frytshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe se bashkëpunimi po avancohet, si në planin bilateral ashtu edhe ndërmjet dy vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë drejtim, u bisedua edhe për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët mes qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë.