Kovaçevski në Forumin e Prespës: Ballkan Perëndimor i integruar është i rëndësishëm për Evropë të bashkuar dhe ekonomikisht të fuqishme

Kryeministri Dimitar Kovaçevski me fjalim hyrës e hapi seancën "65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?" në korniza të Forumit të Prespës për Dialog.

Në fokus të fjalimit të Kryeministrit Kovaçevski ishin tre aspekte kyçe të lidhura me temën edhe atë miratimi i legjislacionit nacional me legjislacionin e Unionit, Nisma Rajonale “Ballkani i Hapur” dhe përfitimi ekonomik si dhe Integrimi i rajonit në BE dhe Tregu i vetëm i Unionit.

 Në seancë morën pjesë edhe kryeministrat e Serbisë, Ana Brnabiq, Kosovës Albin Kurti, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Mateo Bonomi, ekspert i ekonomisë nga Instituti Ndërkombëtar në Romë.
 


Në vazhdim ua përcjellim fjalimin në tërësi:

“Është një nder dhe kënaqësi për mua që jemi bashkë në konferencën e rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, Forumi i Prespës për Dialog.

Kënaqësia është edhe më e madhe që jemi bashkë me kolegët e mi nga rajoni, presidentë, ministra, ambasadorë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Tema me të cilën e fillojmë ditën e sotme në Forumin për Dialog të Prespës"65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?" ka një rëndësi të madhe, veçanërisht në botën e sotme të trazirave, e cila thekson më tej nevojën për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që natyrisht i përkasin Evropës.

Në këtë prezantim nuk do të doja të kthehem në të kaluarën, sepse është humbur kohë e çmuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Zakonisht diskutimet në Ballkan janë më së shumti për të kaluarën dhe historinë dhe ka politikanë të cilëve u pëlqen të flasin për tema nga e kaluara dhe historia, veçanërisht nga fqinjësia, ndërsa këto janë temat më të lehta për t'u folur, sepse kur flisni me qytetarët për histori atëherë nuk u premtoni asgjë. Është më e vështirë të flasësh me qytetarët për ekonominë, sepse atëherë premtohet dhe më pas qytetarët kanë pritshmëri për një standard më të mirë jetese. Do të flas për të tashmen dhe planet për të ardhmen për gjithçka që ne si shtet, në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe partnerët tanë strategjikë, po e realizojmë me një qëllim të vetëm, zhvillim ekonomik dhe standard më të mirë për qytetarët.

Do të vendos fokus në tre aspekte kryesore lidhur me temën:

1.   Harmonizim i legjislacionit nacional me legjislacionin e Unionit, zbatim i standardeve dhe reformave strukturore; 

2.    Iniciativa Rajonale “Ballkan i Hapur” dhe përfitimet e saj;

3.    Integrim i rajonit në BE dhe Tregu i vetëm i Unionit.

Sa i përket aspektit të parë, dua të theksoj se angazhimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka qenë i qartë që nga pavarësia e vendit. Ne jemi një vend kandidat për anëtarësim në Union, që nga viti 2005, 21 vite më parë është nënshkruar Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim. Kyçja e Marrëveshjes është i një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, që vendosi një cilësi të re në marrëdhëniet e ndërsjella dhe parashikoi arritjen e asocimit për maksimum 10 vjet, në dy fazat e njëpasnjëshme.Edhe pse kjo perspektivë kohore nuk është arritur, Marrëveshja mbetet e vetmja kornizë ligjore që rregullon marrëdhëniet mes dy palëve që kontribuon në stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne kemi krijuar një kornizë formale për dialogun politik, në nivel dypalësh dhe rajonal, një zonë të tregtisë së lirë me BE-në, dhe në të njëjtën kohë kemi ofruar bashkëpunim ekonomik, social, arsimor, shkencor, teknologjik, energjetik dhe kulturor, si dhe bashkëpunim në fushën e mjedisit. Marrëveshja për stabilizim dhe asocim mbetet në fuqi derisa Republika e Maqedonisë së Veriut të aderohet në Union.

Negociata nuk kemi filluar ende dhe kjo sigurisht për shkak të sfidave që e penguan rrugën tonë evropiane dhe integruese. Por ja sot, jemi ende në të njëjtën rrugë, sepse anëtarësimi në BE, për ne, nuk ka alternativë. Për ne, integrimi në BE është çështje e pranimit të vlerave më të larta demokratike perëndimore dhe angazhimit për përmbushjen e standardeve evropiane të punës në të gjitha fushat e shoqërisë dhe në të gjitha institucionet.

Njëra nga obligimet që rrjedh nga Marrëveshja ishte harmonizimi i legjislacionit nacional me të drejtën e BE-së dhe zbatimi i tij, në veçanti në fazën e parë, në kapitujt e tregut të brendshëm, me fokus të veçantë të konkurrencës, pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare, furnizimit publik, standardizimit, akreditimit, vlerësimit të përputhshmërisë.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka katër raporte të njëpasnjëshme pozitive nga Komisioni Evropian, si dhe 45 për qind harmonizim të legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, ndërsa në disa segmente jemi para ose në të njëjtin nivel me vendet që shumë vite negociojnë me BE-në.

E drejta jonë është e harmonizuar në masë të madhe në fushat e tregut të brendshëm, bashkimit doganor, rregulloreve tatimore, me qëllim të afrimit gradual drejt standardeve evropiane, për përfitime maksimale në funksionimin e kompanive.

Në drejtim të krijimit të politikave ekonomike është duke u përgatitur Programi i Reformave Ekonomike si dokument strategjik në dialogun ekonomik me BE-në. Ky dokument paraqet përgatitje për pjesëmarrje në procesin e mbikëqyrjes ekonomike dhe fiskale të shteteve anëtare të BE-së, gjegjësisht për përfshirje në procesin e semestrit evropian për koordinimin e politikave ekonomike në BE dhe përgatitet në përputhje me konkluzionet e Dialogut të Përbashkët Ekonomik dhe Financiar. Në kuadër të mekanizmit të dialogut socio-ekonomik që fokusohet në prioritetet dhe reformat në fushën e tregut të punës, punësimit, arsimit dhe politikës sociale, përgatitet Programi i Reformave së Punësimit dhe Politikës Sociale, i cili fokusohet në tri fusha prioritare: tregu i punës dhe punësimi, kapitali njerëzor dhe aftësitë dhe përfshirja sociale dhe mbrojtja sociale. Gjithashtu, vendi po përgatit Strategji të Specializimit të zgjuar si model gjithëpërfshirës për rritje të qëndrueshme ekonomike, bazuar në kapacitetet e industrisë, shkencës dhe shoqërisë, që duhet të lidhet me strategjitë ekzistuese të konkurrencës së inovacionit dhe strategjinë për kërkim dhe zhvillim.

Maqedonia e Veriut aktualisht po i përmbush obligimet që dalin nga Komuniteti i Energjisë dhe Komuniteti i Transportit dhe po bën përpjekje të konsiderueshme për thellimin e efikasitetit energjetik dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në të gjitha fushat e mjedisit jetësor për të arritur qëllimet e Agjendës së Gjelbër, zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe zhvillim të balancuar të qëndrueshëm rajonal dhe lokal.

Metodologjia e re për zgjerimin e BE-së nga viti 2020 është një përpjekje tjetër dhe e re për të sjellë kriteret ekonomike në radhët e para të procesit të aderimit drejt BE-së. Me integrimin formal të kritereve ekonomike në " Themelet e kllasterit " të negociatave të aderimit drejt BE-së, përmbushja e kritereve ekonomike të Kopenhagës është ndër prioritetet kryesore politike që drejtojnë procesin e përgjithshëm të negociatave të ardhshme të aderimit drejt BE-së.

Me këtë qasje "Themelet e kllasterit" ndaj negociatave, përparimi i vendit kandidat në lidhje me çështjet për përmbushjen e kritereve ekonomike të Kopenhagës do të jetë ndër fushat kryesore që do të përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Prandaj, të gjitha përpjekjet tona në periudhën e ardhshme domosdoshmërisht do të drejtohen drejt përshtatjes së mëtejshme të sistemit tonë për avancim ekonomik, jo vetëm për shkak të detyrimeve ndaj BE-së, por mbi të gjitha për shkak të vetes sonë. Të gjitha politikat do të krijohen në partneritet me komunitetin e biznesit, për të krijuar zgjidhjet më të mira që do të jenë në interes të të gjithëve.

Kemi hequr dorë nga shumë gjëra, kemi marrë vendime të vështira për anëtarësim në BE dhe NATO, për një të ardhme më të mirë të qytetarëve. Anëtarësimi në NATO është arritur. Për shkak të një bllokadës, Bashkimi Evropian nuk po i përmbush premtimet e tij, megjithëse ka mbështetjen e gjerë të shteteve anëtare, për të cilën unë dhe qytetarët e vendit i jemi vërtet mirënjohës.

Vazhdojmë të punojmë për evropianizimin e sistemit të përgjithshëm në vend, zbatojmë vlerat demokratike dhe sociale evropiane në vend. Ne jemi pjesë e familjes evropiane dhe ndajmë të njëjtat vlera.

Lidhur me aspektin e dytë: Iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur”, mund të themi se tashmë përfitimet nga qarkullimi i lirë i kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve janë edhe më të qarta dhe më të arsyetuara.

Kohë më parë në Samitin e Ballkanit të Hapur i cili u mbajt  më 7 dhe 8 qershor, këtu në Ohër, isha nikoqor  së bashku me liderët e rajonit. Kjo thekson qartë rëndësinë që përfitimet ekonomike dhe të mirat për qytetarët dhe ekonominë janë prioritet, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për rajonin. Të gjitha vendet nga  Ballkani Perëndimor janë të mirëseardhura në këtë iniciativë “Ballkani i Hapur”, si dhe avancimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, përpiqet të na sigurojë rritje më të madhe ekonomike, e cila është një parakusht kyç për stabilitet dhe prosperitet. “Ballkani i Hapur” na siguroi një platformë për të biseduar me njëri-tjetrin, për të rënë dakord për projekte të përbashkëta dhe mjete për  veprim për të përmirësuar të ardhmen tonë të përbashkët. Potencialet për ringjalljen ekonomike të rajonit janë të nevojshme dhe kjo është parakusht për përgatitje të mëtejshme për integrimin e ardhshëm në tregun e brendshëm të përbashkët të BE-së. Kjo është një nismë e madhe, por nuk mund të jetë alternativë ndaj BE-së.

"Ballkan i hapur" do të thotë përmirësim i konkurrencës, investime të reja, lidhje infrastrukturore, një treg më i madh, lëvizshmëri dhe zhvillim biznesi në rajon. Kjo do të thotë gjithashtu një standard dhe cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët tanë nga i gjithë Ballkani. Me “Ballkanin e Hapur” nuk jemi një treg me 2, por jemi një treg me disa milionë banorë, që do të thotë potenciali i rajonit për më shumë investime dhe përfitim ekonomik.

Pikërisht  bashkimi rajonal besoj se na çon më shpejt në aspektin e tretë që përmenda në fillim të fjalës sime, që është integrimi i rajonit në BE dhe Tregu i vetëm i Unionit.

Fakti që të gjitha ekonomitë tona janë më drejtpërdrejt të varura dhe të lidhura me Bashkimin Evropian flet më së miri për rëndësinë e tregut dhe forcimit të lidhjeve ekonomike me BE-në për secilin vend individualisht dhe për rajonin në tërësi. BE-ja është partneri më i rëndësishëm ekonomik, 80% e tregtisë të shkëmbimit sonë të jashtme është me shtetet anëtare të Unionit, 80% e investimeve të huaja strategjike janë gjithashtu nga shtetet anëtare të BE-së përqindje e cila së bashku me Britaninë e Madhe është mbi 90%.

Për vendin tonë, për komunitetin e biznesit, integrimi i rajonit me BE-në, pra në tregun e vetëm ka një rëndësi të madhe. Dy vjet më parë, në Samitin e Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit, u nënshkrua Deklarata për Tregun e Përbashkët Rajonal për integrim më të thellë ekonomik rajonal dhe një hap drejt tregut të vetëm  të BE-së, si dhe Deklarata për Agjendën e Gjelbër.

Është e nevojshme të intensifikohet efektshmëria dhe përshpejtimi i të gjitha proceseve, veçanërisht nga aspekti që jetojmë në kushtet e krizës më të madhe botërore, periudhës postpandemike dhe agresionit ushtarak kundër Ukrainës, që bëri zhvendosje tektonike dhe ndarje të botës.

Është e nevojshme të punohet në interes të qytetarëve, të ekonomisë, të zhvillimit të rajonit, të gjitha me qëllim të përparimit ekonomik.
65 vite pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, marrëveshje mbi të cilin është themeluar Bashkimi Evropian i sotëm, është shumë e qartë nevoja për të rritur unitetin në Union, për të realizuar premtimin e një Bashkimi Evropian të bashkuar, të vetëm dhe ekonomikisht të fortë me një Ballkan Perëndimor plotësisht të integruar.