Kovaçevski – Marin: Maqedonia e Veriut dhe Finlanda kanë ardhmëri të përbashkët euroatlantike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministrja e Republikës së Finlandës, Sana Marin, e cila ndodhet në vizitë pune njëditore në vendin tonë, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku prezantuan qëndrimet e përbashkëta për çështjet më të rëndësishme, çështje me interes të ndërsjellë.


Në vazhdim të kësaj kumtese, ua përcjellim të plotë fjalimin e plotë të Kryeministrit Kovaçevski në konferencën për shtyp:

“Është kënaqësi që mund të mirëpres Kryeministren Marin dhe delegacionin finlandez për herë të parë në Maqedoninë e Veriut.

Jam i bindur se kjo vizitë është e para nga të shumtat në nivel të qeverive me ardhmëri euroatlantike.  

Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Si Kryeministër, edhe gjatë vizitës time në NATO, kam mbështetur hapur iniciativën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Shpresoj që të dyja vendet të anëtarësohen sa më shpejt, por në të njëjtën kohë duhet të merren parasysh të gjitha shqetësimet e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Shpresoj që vonesa e aplikimit të tejkalohet shpejt, për të cilën do të japim mbështetjen tonë të plotë.

Në maj, Qeveria jonë miratoi anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë në NATO.

Ditët e fundit, Qeveria solli vendim që të autorizojë ambasadorin tonë në NATO që kur të vijë koha, të nënshkruajë protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Ne besojmë se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është një kontribut për përforcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, veçanërisht në kontekstin e pushtimit të pajustifikuar ushtarak rus të Ukrainës, që çoi në ndryshime në politikën evropiane të sigurisë.

Shprehim respektin dhe inkurajimin tonë të thellë për këtë vendim të Republikës së Finlandës, bazuar në një proces të plotë demokratik, si e drejta e saj sovrane për të rregulluar marrëveshjet e veta të sigurisë.

Anëtarësimi i Finlandës në NATO do të rrisë ndjeshëm sigurinë në rajonin euroatlantik, veçanërisht në rajonin e Veriut të Lartë dhe në rajonin Baltik.

Ushtria Finlandeze është e interoperabile me standardet e NATO-s dhe prej vitesh ka mbajtur stërvitje të rregullta dhe të shpeshta ushtarake me NATO-n, duke marrë pjesë dhe duke kontribuar në të gjitha misionet dhe operacionet e NATO-s.

Finlanda është një mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk do ta harrojmë kurrë këmbënguljen dhe qëndrimin e tyre të fuqishme për të nisur bisedimet për anëtarësim në BE në vitin 2019 gjatë presidencës me Këshillin Evropian.

Ky ishte një gjest i fuqishëm miqësor nga Finlanda.

Maqedonia e Veriut sot është plotësisht e përgatitur për fillimin e negociatave.

Legjislacioni ynë është 45% i harmonizuar me legjislacionin e BE-së. Bashkimi Evropian është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar. Raportet tona tregojnë se vendi po përparon në atë rrugë.

Ne kemi treguar se jemi një partner i besueshëm dhe se jemi të përkushtuar ndaj dialogut për të gjetur zgjidhjen e duhur që do të sigurojë zhbllokimin e procesit të negociatave dhe integrimin evropian.

Ne si Qeveri e kemi obligim që të gjejmë një zgjidhje të shpejtë, por jo të nxituar, e cila bazohet në vlerat evropiane. Ne nuk negociojmë për identitetin dhe gjuhën tonë dhe kjo është më se e qartë dhe zgjidhja që do të dalë nga dialogu i hapur duhet të ketë parasysh dinjitetin e qytetarëve të të dyja vendeve dhe të reflektojë vlerat evropiane.

Lufta në Ukrainë ka treguar në mënyrën më tragjike se zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm çështje zgjerimi, por çështje gjeostrategjike dhe sigurie. Dhe për ne, por edhe për tërë rajonin.

E përmend edhe rajonin sepse bllokada me të cilën po përballemi sot rezonon negativisht në tërë rajonin dhe ndikon në besueshmërinë dhe integritetin e BE-së. Dhe anasjelltas, impulset pozitive që do të sjellë fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në do të rezonojnë gjerësisht dhe do të sjellin një stabilitet më të madh në tërë Ballkanin.

Përveç kësaj, mungesa e ofrimit të një vendimi të fuqishëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit, do të krijojë hapësirë ​​për ndikimin e forcave të treta antidemokratike, e cila në një moment dhe kontekst të caktuar është veçanërisht e dëmshme nga pikëpamja gjeostrategjike.

Këtë e di shumë mirë Finlanda dhe për këtë ne kemi një qëndrim të përbashkët që negociatat me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë menjëherë.

Maqedonia e Veriut dhe Finlanda me këtë vizitë sot vazhdojnë të forcojnë miqësinë që ekziston mes dy vendeve.

Komuniteti finlandez afarist, i cili kohët e fundit ka treguar një interes të madh për të promovuar bashkëpunimin, hap një potencial të madh. Mundësitë për të transferuar përvojën e Finlandës në arsim dhe digjitalizim janë gjithashtu të rëndësishme.

Për fund, dua të ritheksoj konkluzionin e përbashkët nga vizita e sotme, Maqedonia e Veriut dhe Finlanda kanë një të ardhme të përbashkët euroatlantike për të cilën do të vazhdojmë të avokojmë fuqishëm për njëra-tjetrën".