Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Bruksel në korniza të Samitit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.
Në konferencën për shtyp, Kryeministri Kovaçevski, i cili ishte i vetmi që foli i pari në gjuhën e tij amtare maqedonase, theksoi se propozimi aktual francez nuk është i pranueshëm as për Qeverinë, as për Presidentin e vendit, as për partnerët e koalicionit dhe as për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:
“Samiti i sotëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ishte forum ku diskutuam çështje të hapura me interes nacional dhe rajonal për Ballkanin Perëndimor për sfidat e fundit gjeostrategjike. Agresioni rus në Ukrainë është një kërcënim për të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet parë si një domosdoshmëri, por edhe si një investim në sigurinë e BE-së.
Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi sot në Samit, shpreha pakënaqësinë për dinamikën e proceseve të anëtarësimit dhe fillimin e negociatave. Republika e Maqedonisë së Veriut ka qenë vend kandidat për 17 vjet, Marrëveshjen për asocim dhe stabilizim e kemi nënshkruar. Këshilli Evropian vendosi për fillimin e pakushtëzuar të negociatave ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Por ja ku jemi sot dhe bisedimet nuk kanë filluar akoma.
Do të jem i drejtpërdrejtë, kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje e rëndë për kredibilitetin e BE-së. Po humbim kohë të çmuar që realisht nuk e kemi në dispozicion.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe rajoni, nuk duhet ta lejojmë veten të ngecim në një vend për shkak të një shteti anëtar që thjesht nuk arrin të koordinojë dhe të sigurojë zhbllokimin e rrugës sonë evropiane.
Nuk duhet të lejojmë që çështjet dypalëshe të bëhen çështje shumëpalëshe.
Maqedonia e Veriut është një vend që bota sot e njeh si një vend që arrin përmes dialogut të hapur të zgjidhë çështje të vështira.
Si një vend i përkushtuar për të gjetur zgjidhje të pranueshme të përbashkët të bazuar në vlerat evropiane dhe dinjitetin e qytetarëve të tij.
Me të njëjtën ide, ne hymë në procesin e bisedimeve me Bullgarinë, me sinqeritet dhe me dëshirën për t'i vendosur ato në vlerat evropiane. Për muaj të tërë, ne kemi këmbëngulur t'i kushtojmë kohën dhe vëmendjen tonë të ardhmes dhe të gjejmë zgjidhje që do të zhbllokojnë procesin e anëtarësimit si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, Bullgaria ka vendosur të kthehet në të kaluarën dhe të rivendos një bllokadë, nga e cila nuk përfiton askush, përveç disa palëve të treta që do të kenë terren të hapur për të mbushur boshllëqet që do të hapen me hapa të tillë të pamatur që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm nga pikëpamja e aspektit gjeostrategjik.
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë deri më tani. Kemi marrë vendime shumë të vështira, po punojmë për reforma në vend, me synim evropianizim. Është koha që BE-ja të përmbushë premtimet e saj përpara se të japë të reja.
Për sa i përket propozimit francez, fillimisht do të doja të falënderoja Presidentin Makron për angazhimin dhe përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje. Në atë proces dinamik të punës me Presidencën franceze, ne i shpallëm qëndrimet dhe vijat e kuqe dhe në këtë kontekst dëshiroj të konfirmoj se një propozim që do të ishte i pranueshëm duhet të garantojë elementet kyçe - një formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtjen e qartë të identitetit maqedonas.
Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën e negociatave.
Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në preambulën e Kushtetutës, Garanci të fuqishme si nga Bullgaria ashtu edhe nga Bashkimi Evropian se Bullgaria nuk do të kushtëzojë kërkesa të reja, jashtë nga ajo që është dakorduar në kornizën e negociatave dhe në protokollin dypalësh që ende nuk është harmonizuar me Bullgarinë.
Dhe sigurisht, çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Propozimi në formën e tanishme është i papranueshëm për mua, për Presidentin, për Qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nëse arrihet një mirëkuptim i pozicioneve tona gjatë presidencës franceze, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime për të filluar bisedimet në qershor.
Dua të shfrytëzoj rastin për të thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të jenë të qetë. Ne gjithmonë vendosim në plan të parë interesat dhe qëllimet strategjike të shtetit. Askush nuk mund të imponojë asnjë zgjidhje pa pëlqimin tonë. Ne bëmë gjithçka, tani është radha e BE-së.
Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia do të zbatojnë në mënyrë aktive dhe praktike 4 liritë mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, do të evropianizojmë shoqëritë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të saj përmes nismës Ballkani i Hapur.
Nisma Ballkan i Hapur nuk është një zëvendësim për Bashkimin Evropian, por është konteksti i nevojshëm për t'u bashkuar me familjen e BE-së ndërsa presim procese të parashikueshme të besueshme dhe të përshpejtuara të integrimit evropian.
Sot dëgjuam gjithashtu nismën e Presidentit Makron për të krijuar një komunitet politik evropian si një platformë për dialog politik strategjik dhe vendime të rëndësishme për tërë kontinentin Evropian. Ne e mirëpresim këtë iniciativë dhe e konsiderojmë të rëndësishme vendosjen e saj pikërisht në këtë moment, por dëshirojmë të shohim se si do të funksionojë dhe cilat janë qëllimet e saj specifike. Çdo iniciativë e kësaj natyre nuk duhet të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE.
Do të doja të konkludoja me këtë: 27 vendet, 27 liderët që i janë bashkuar Unionit, të gjithë janë bashkuar me krenari me të gjitha dallimet e tyre dhe me respekt të plotë për dallimeve gjuhësore dhe historike të tyre dhe të të tjerëve. Asnjë nga këto nuk ishte problematike në rrugën evropiane.
Kjo është ajo që ne duam, asgjë më shumë, asgjë më pak. Respekt për identitetin gjuhësor, kulturor, etnik dhe historik të popullit tim. Le t'i bashkohemi Unionit me krenari, së bashku me të gjithë anëtarët e BE-së, së bashku me të gjitha kombet e BE-së dhe duke përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim”.