Nga mbledhja e 78-të e Qeverisë: U miratua struktura negociuese për negociatat me Bashkimin Evropian

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen tematike, në të cilën krahas Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe anëtarëve të Qeverisë, mori pjesë dhe mbajti fjalim shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e Tij, Dejvid Gir.

Në mbledhje, Kryeministri Kovaçevski falënderoi të gjithë anëtarët për angazhimet e tyre të deritanishme dhe punën e investuar në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Me rëndësi të veçantë për përcaktimin e mëtutjeshëm të aktiviteteve që do të vijojnë ishte miratimi i strukturës së rishikuar për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilën e siguron mekanizmi koordinues për  zhvillimin e negociatave me Unionin.

Informacioni  me propozim për rishqyrtimin e mekanizmit koordinues të Republikës së Maqedonisë së Veriut për negociata për aderim me Bashkimin Evropian dhe Vendimi për vendosjen e strukturës për negociata u  miratua njëzëri nga anëtarët e Qeverisë.

Strukturën e re të miratuar për negociata e përbëjnë:

  1. Negociatori kryesor për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilin e kryen zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, dhe
  2. Zëvendësi i negociatorit  kryesor, të cilin e kryen sekretarja shtetërore për çështje evropiane, e cila njëkohësisht është edhe kryesuese e komitetit për stabilizim dhe asociim, Drita Abdiu Halili.

Mbeten trupat e paraparë në vitin 2019 dhe atë:

  • Komiteti për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian i kryesuar nga Kryetari i Qeverisë, si trup më i lartë politik i Qeverisë për koordinim të negociatave për aderim,
  • Delegacioni shtetëror për negociatat për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilin do ta udhëheqë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani,
  • Grupi për negociata për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si trup profesionalistësh,
  • Komisioni i Punës për Integrime Evropiane,
  • Grupet e punës për negociata  aderuese si trupa  ndihmëse të Komitetit të Punës.

Sekretariati i vetëm i procesit negociues është Sekretariati për Çështje Evropiane (SEP), duke pasur parasysh se kompetencat dhe roli i SEP, përfshirë edhe për koordinim të procesit të përgjithshëm të negociatave për aderim, është  rregulluar në Ligjin për Qeverinë.

Në mënyrë plotësuese, SEP ngarkohet të jetë depozitues i dokumentacionit të përgjithshëm në lidhje me negociatat aderuese, si dhe të ketë një koordinator në të gjitha grupet e punës, kompetent për aspektet metodologjike dhe të procesit dhe koordinim me trupat e tjerë të strukturës së negociatave.

Njëkohësisht, SEP mori për kompetencë edhe përgatitjen  e akteve të nevojshme ligjore, me të cilat do të përcaktohen procedurat e punës së trupave.