Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me delegatët e 27 vendeve anëtare të BE-së në Grupin e punës të Këshillit të BE-së, i ngarkuar për zgjerimin dhe vendet negociuese për aderim (KOELA), i udhëhequr nga Javurek Leosh dhe të shoqëruar nga ambasadori i BE-së në vend, David Gir.
Në takim u vlerësua se ky është moment i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si hap i parë pas hapjes së negociatave me BE-në në korrik të këtij viti, në Bruksel, ndërsa në prag të fillimit të nesërm të procesit të skriningut për aderim e vendit tonë në Bashkimin Evropian, praktikisht hapet kapitull i ri në procesin e integrimit europian të vendit.
Mesazhi që u dërgua në takimin e sotëm, nga përfaqësuesit e Grupit të punës KOELA, është se vendet anëtare të BE-së inkurajojnë procesin e mëtejshëm të rrugës së vendit tonë drejt BE-së dhe se qëndrojnë fortë pranë vendit tonë, me qëllim të realizimit dinamik të hapave të mëtejshme në kuadër të procesit të skriningut dhe në procesin e negociatave, deri në anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.
Në të njëjtën kohë, u mirëpritën vendimet e mençura të Qeverisë dhe Kuvendit, me të cilat u tregua vizion për realizimin e përcaktimeve strategjike dhe të ardhmes së shtetit dhe u mundësuan fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Integrimet evropiane, siç u vlerësua, sjellin përfitime konkrete ekonomike dhe demokratike për qytetarët e vendit tonë. Gjithashtu kanë rëndësi të madhe për të gjithë rajonin, veçanërisht në rrethana gjeopolitike në të cilat gjendet Evropa dhe bota, për shkak të luftës në Ukrainë, që do të thotë kontribut serioz drejt paqes dhe stabilitetit evropian.
Në këtë drejtim, është shprehur pritshmëri për mbështetje nga të gjitha subjektet politike dhe publiku social në hapat e ardhshëm të rëndësishëm për procesin e integrimeve evropiane, ndërsa për të cilat është paralajmëruar asistenca teknike dhe mbështetja e nevojshme nga shtetet anëtare të Unionit.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se pas 17 vitesh status kandidat, Republika e Maqedonisë së Veriut më në fund merr vëmendjen dhe vendin e merituar në BE.
Ai theksoi se shteti është pozicionuar njëqind për qind në linjë me politikën e jashtme të BE-së, praktikon vlerat evropiane dhe mbetet i përkushtuar në realizimin e këtij qëllimi të dytë strategjik, anëtarësimi në BE, pas anëtarësimit në NATO.
“Në kuadër të angazhimeve të përbashkët për të dhënë rezultate të shpejta dhe cilësore në procesin e integrimeve evropiane, do të punojmë me të gjitha palët e interesuara politike dhe sociale në vend”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Zëvendëskryeministri Mariçiq tha se Qeveria është e gatshme të tregojë rezultate të dukshme në avancimin e proceseve reformuese dhe se për këtë është e nevojshme përfshirja e të gjitha palëve të interesuara, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me shtetet anëtare të Unionit dhe Komisionit Evropian.
Ministri Osmani konstatoi se vendi lëviz drejt një kapitulli të ri të integrimeve evropiane, me takimin e sotëm me Grupin e punës KOELA, në kuadër të procesit negociues dhe se ky është moment i rëndësishëm për të ardhmen e mirë të qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera aktuale në kontekst rajonal, evropian dhe gjeopolitik, me ç'rast u shpreh pajtimi që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në zgjidhjet për tejkalimin e sfidave aktuale nga lufta në Ukrainë.
Takimi u përmbyll me konstatimin se zgjerimi i BE-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet dhe do të vazhdojë, sepse është e rëndësishme, si për vendin tonë, ashtu edhe për vendet e rajonit dhe për vetë Bashkimin Evropian.