Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi të marrin vendime që do të sjellin një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për “BBC-në”.
“Ne kemi dy koncepte në këtë shtet. Një koncept, të cilin unë udhëheq, është që maqedonasit dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, me kokën lart, me dinjitet, të ulen në tryezën e madhe në Bruksel dhe të shprehin qëndrimin e tyre për të gjitha çështjet, të negociojnë dhe të bëhen anëtarë të BE-së. Koncepti tjetër është me dinjitet të rremë, të ulesh në tryezën e vogël këtu, në Maqedoninë e Veriut, i vetëm, i izoluar, në konflikt me fqinjët, pa bisedime me BE-në. Këtë e kemi parë të ulur në një tavolinë të vogël, me dinjitet të rremë, prej vitesh. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të marrë vendime që do të sjellin një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
Sepse në fund e di që ky proces do të jetë i vështirë, negociatat do të jenë të dhimbshme, e di këtë, e dinë të gjithë qytetarët, por çmimi është anëtarësimi në BE, sepse qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan të jenë pjesë e BE-së, ata duan të jetojnë në BE, por në vendin e tyre këtu, e jo të largohen nga vendi i tyre dhe të punojnë në vendet anëtare të BE-së”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski shtoi se është më e lehtë të jesh politikan që flet për të kaluarën, sepse kur flet për të kaluarën nuk premton asgjë, thjesht luan me emocionet e njerëzve dhe është e vështirë të jesh politikan që flet për të ardhmen, sepse atëherë ju bëni një premtim.
Kryeministri Kovaçevski përmendi edhe marrëveshjen që e nënshkruam me BE-në, në gjuhën maqedonase, pa fusnota, pa shpjegime.
“Në këto negociata kemi pasur disa synime dhe i kemi arritur. E para: gjuha e pastër maqedonase në BE. E dyta: identiteti i pastër maqedonas, i maqedonasve dhe fillimi i negociatave me BE-në, që ndodhi më 19 korrik. Në mënyrë plotësuese, çështjet historike duhet të jenë jashtë kornizës së negociatave. E përmendët punën e komisionit historik”, tha Kryeministri Kovaçevski.