Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI), nikoqir i së cilës këtë vit është Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolaj Milkov, në kuadër të kryesimit bullgar me Iniciativën.
Fokusi i diskutimeve ishte gjetja e mënyrave për ta ndihmuar dhe mbështetur Ukrainën, marrja e masave rajonale për rritjen e lidhjes dhe stabilizimit të proceseve për ofrimin e ndihmës së nevojshme, vazhdimin e integrimit evropian të vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis vendeve anëtare të CEI-it dhe pjesës tjetër të aktorëve globalë.
Në fjalimin e tij para Ministrave dhe mysafirëve të pranishëm, Osmani theksoi se për momentin është më e nevojshme të përcaktohen masa konkrete shtesë, përmes të cilave vendet anëtare të CEI-t dhe organizata mund ta ndihmojnë Ukrainën.
„Maqedonia e Veriut në kuadër të mundësive të saj ka ndihmuar me ndihma humanitare, por edhe me pajisje të konsiderueshme teknike. Duhet të kemi parasysh se duke luftuar për lirinë e tyre, ukrainasit mbajnë barrën më të rëndë sot, në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe parimeve demokratike. Jo vetëm si parim solidariteti, por edhe në kuptimin thelbësor, ne ia kemi borxh Ukrainës mbështetjen e plotë si në përballjen me agresionin ashtu edhe në rindërtimin e vendit”, theksoi Osmani, duke argumentuar se instrumentet e bashkëpunimit rajonal janë dëshmuar të jenë një mjet solid për zbutjen e atyre efekteve.