Në kuadër të vizitës në Sofje, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Gallab Donev.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet dy shteteve, me fokus në bashkëpunimin ekonomik dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar bashkërisht me pasojat e krizës energjetike.
Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për dy ngjarjet kyçe të javës së kaluar - fillimi i ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit hekurudhor 8 dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për lidhje ndërsistemore për pikën e interkoneksionit Qustendil-Zhidilovo, të cilat e tregojnë qartë vendosmërinë e të dy Qeverive të veprojnë në drejtim të realizimit të projekteve konkrete që do t’i lidhin të dyja vendet në aspektin infrastrukturor dhe energjetik dhe do të përaqesin kontribut në përpjekjet e përbashkëta të vendeve të kontinentit evropian për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate sfidave aktuale.
Gjithashtu, shprehën kënaqësi si dhe shkëmbyen propozime konkrete për realizimin me sukses të Forumit të ardhshëm të Biznesit, të cilin të dyja vendet planifikojnë ta mbajnë gjatë muajit dhjetor dhe i cili pritet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e të dyja vendeve, në planin e bashkëpunimit ekonomik.