Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp informuan për vendimet dhe konkluzionet e miratuara të mbledhjes së 100-të të Qeverisë dhe iu përgjigjën pyetjeve me interes për opinionin dhe mediat.
Në konferencën për shtyp foli edhe Viktor Andonov, bashkëpunëtor për energjetikë, i cili njoftoi informacionet e fundit që kanë të bëjnë me rëndësinë e kursimit të energjisë elektrike dhe informoi për gjendjen aktuale energjetike në vend.
Andonov nënvizoi se gjatë ditës së djeshme opinioni është njoftuar nga Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, për mënyrën e sigurimit të energjisë elektrike më të lirë, për sektorët e synuar, si sektori i ushqimit, ndërmarrjet komunale dhe institucionet arsimore, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e përditshëm të qytetarëve.
Andonov u apeloi kompanive që janë pjesë e sektorëve të përmendur që të aplikojnë për energji elektrike të subvencionuar, të cilën do ta marrin nga EMV Shitje. Ai nënvizoi se të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me procedurën e aplikimit, si dhe afatet, mund të gjenden në faqen zyrtare të EMV-së.
“Sektori i ushqimit, gjegjësisht prodhimi i produkteve bazë, qumështi, mishi, buka, vajrat e të tjera do të marrin energji elektrike me çmim prej 80 euro për megavat orë, me qëllim të uljes së çmimit të produkteve bazë për jetesë. Ulja e çmimit të produkteve të caktuara tanimë mund të vërehet siç raportuan disa nga mediat. Kjo është pjesë e premtimit të Qeverisë se këtë dimër do të ketë ushqim për të gjithë”, tha Andonov.
Ai vlerësoi se të gjitha masat për stabilizimin dhe uljen e çmimeve merren me kohë dhe japin rezultate.
Në konferencën për shtyp, bashkëpunëtori Andonov theksoi se shërbimet komunale, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin normal të përditshëm të qytetarëve, sigurohen përmes rrymës më të lirë për ndërmarrjet komunale që kryejnë veprimtarinë furnizim me ujë. Ato do të marrin energjinë elektrike me çmimin 95 euro për megavat orë, me të cilën është e garantuar furnizimi i ujit.
“Fëmijët do të vazhdojnë të shkojnë në shkollë, dëgjuam apelin e prindërve, si dhe spekulimet se shkollat do të mbyllen për shkak të problemit të energjisë dhe çmimit të rrymës. Ne kemi siguruar një çmim prej 95 euro për megavat orë, në mënyrë që shkollat fillore dhe të mesme të vazhdojnë të punojnë çdo ditë dhe fëmijët të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të përditshme shkollore. Për këtë ia vlen të kursehet!”, theksoi Andonov.
Bashkëpunëtori për energjetikë apeloi tek qytetarët se ndryshimi i shprehive është i dukshëm, nga njëra anë do të mundësojë kursime të mëdha pa prishur komoditetin apo përditshmërinë, dhe nga ana tjetër do të sigurojë kursim të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike. gjegjësisht ata do të jenë në gjendje të drejtohen ose të përdoren nga ata që kanë më shumë nevojë për to. Në atë drejtim, siç theksoi ai, të gjithë duhet të solidarizohen për të përballuar me sukses krizën dhe për t'i ndihmuar institucionet që të përballen me pasojat e krizës botërore energjetike.
“Këto mesazhe do t'i dërgojmë drejt qytetarëve çdo ditë pa rezerva, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër këtë dimër, përveçse të sillemi racionalisht. Duhet të kemi parasysh se aktualisht shteti ka objekte energjetike që janë gjysmë shekullore. Në periudhën në vijim për shkak të kushteve të motit dhe për shkak të rritjes së konsumit të energjisë elektrike, këto objekte prodhuese do të ngarkohen shtesë, si dhe mund të ketë edhe ndërprerje të papritura, por situata monitorohet çdo ditë dhe qytetarët do të informohen në kohë për masat e ndërmarra”, tha Andonov.
Në konferencë për shtyp, bashkëpunëtori për energjetikë bëri të ditur bilancin ditor të energjisë për ditës së kaluar. Ai informoi se prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga EMV-ja për ditën e djeshme ka qenë 10756 megavat orë. Nga termocentralet janë prodhuar gjithsej 7800 megavat orë, nga burimet e ripërtërishme janë prodhuar 2956 megavat orë dhe për nevojat e djeshme janë blerë 2400 megavat orë energji elektrike.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muamet Hoxha, në konferencën për shtyp informoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rekomandim të Ministrisë për Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin për mbajtjen e mbledhjes së dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet më 14 nëntor të këtij viti.
Siç u theksua, në kuadër të mbledhjes ndërqeveritare do të nënshkruhen disa memorandume për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët: ekonomi, mbrojtje, arsim, integrim evropian, shëndetësi etj.
Mbledhjet ndërqeveritare synojnë përmirësimin e bashkëpunimit në rajon, shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen ekonomike.
Zëdhënësi Arsovski në konferencën për media informoi se disa kompani ajrore kanë shprehur interes për mbështetje, pas miratimit të programit për mbështetje financiare që inkurajon zhvillimin e komunikacionit ajror për periudhën trevjeçare duke filluar nga viti 2023.
Me thirrjen publike që do të shpallet në periudhën e ardhshme, siç theksoi ai, mundësohet që më shumë se një kompani të shfrytëzojë fondet që duhet të sjellin më shumë destinacione të reja për qytetarët tanë me çmime të favorshme.
Gjithashtu u miratua një dekret për mënyrën dhe kriteret e dhënies së mbështetjes financiare për transportuesit ajror vendas dhe të huaj dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të dorëzohet nga përfituesit e mbështetjes financiare.
Siç bëhet me dije, sipas interesit fillestar, Qeveria pret që trafiku ajror që në vitin e ardhshëm të arrijë dhe tejkalojë numrin prej 2.7 milionë udhëtarësh të transportuar nga para pandemisë, në vitin rekord 2019.
Gjithashtu, presim që udhëtimet në destinacione të reja në Evropë dhe botë të sjellin mundësi për zhvillim të mëtejshëm ekonomik, promovim të turizmit dhe njohje e bashkëpunim mes qytetarëve dhe sektorit të biznesit nga vendi ynë dhe nga vendet e tjera.
Nw pyetjen e gazetarwve për bllokime e opozitës për kredinë prej 100 milionë eurosh nga BERZH, bashkëpunëtori Andonov theksoi se siç është paralajmëruar më herët, afatet gjenden në dokumentet strategjike të miratuara gjatë vitit 2019, përkatësisht strategjinë për zhvillimin e energjisë, e cila shqyrton tre skenarë. Andonov bëri të ditur se këto dokumente janë përgatitur para fillimit të krizës energjetike dhe sipas legjislacionit ekzistues kanë detyrimin që të ndryshojnë
Andonov informoi se këto dokumente janë përgatitur para fillimit të ndryshimeve. Plani kombëtar për energjinë dhe klimën ndryshohet çdo dy vjet, dhe strategjia e zhvillimit të energjisë ndryshohet çdo pesë vjet, domethënë do të punohet për ndryshimin e saj vitin e ardhshëm. Andonov theksoi se konkretisht ligji, i cili parashikon marrjen e një kredie favorizuese prej 100 milionë eurosh për likuiditetin e EVS-së, ka një plan veprimi në të cilin janë marrë afatet e këtyre planeve, të cilat më parë ishin publikuar në mënyrë transparente.
Nëse afatet në këto plane që janë miratuar ndryshojnë, kjo do të thotë se plani do të modifikohet në përputhje me ato afate të reja. Për të njëjtën, ministri i Ekonomisë u ka dërguar një letër deputetëve dhe Kuvendit se gjatë vitit të ardhshëm do të punohet për ndryshimet në këto dy dokumente, në të cilat sigurisht do të ketë një zhvendosje në disa prej afateve, duke marrë duke marrë parasysh krizën aktuale të energjisë.
I pyetur se si i komenton Qeveria zhvillimet në “M-NAV” pas njoftimeve mediatike për dorëheqje dhe kontestimit të konkursit për kontrollorë të trafikut ajror dhe nëse do të merren masat e duhura duke pasur parasysh ndjeshmërinë e zonës për sa i përket sigurisë në komunikacion, Zëdhënësit bënë me dije se "M-NAV" është një institucion që ka organet e veta drejtuese, metodat e vendimmarrjes dhe buxhetin e vet. Zëdhënësit theksuan se sipas informacioneve që disponon Qeveria, procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për trajnimin e kontrollorëve është ende në vazhdim, dhe se sipas standardeve ndërkombëtare “M-NAV” është e obliguar të respektojë rregullat strikte të “Eurocontrol” në operacionet e tij dhe sistemin ndërkombëtar të menaxhimit të trafikut ajror, anëtar i të cilit është.