Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot realizoi disa takime pune në kuadër të vizitës në Rigën zyrtare.
Osmani u takua me kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin e Letonisë (Sajmin), Rihards Kols. Në takim u shpreh kënaqësi për marrëdhëniet e ngushta bilaterale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral. Ndër tjerash, Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin edhe për rrjedhën e procesit të integrimit evropian të vendit, duke theksuar se në këto kohë të ndjeshme, është e nevojshme të forcohet perspektiva evropiane në vendet e Ballkanit Perëndimor, si shtytës kryesor i agjendës së reformave evropiane.
“Maqedonia e Veriut, si vend i cili kultivon demokraci multietnike dhe është promovues i kulturës së dialogut, mbetet e përkushtuar në promovimin e zgjidhjes së çështjeve të hapura ekskluzivisht përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, tha Osmani, duke e rikonfirmuar nevojën për formimin e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut në Parlamentin e Letonisë, gjë për të cilën mori mbështetje nga bashkëbiseduesi letonez.
Kols e rikonfirmoi mbështetjen e Letonisë për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu pritjen për revitalizimin e bashkëpunimit parlamentar në periudhën e ardhshme. Ai informoi për situatën në Baltik, pas invazionit rus ndaj Ukrainës, si dhe bëri thirrje për solidaritet dhe mbështetje maksimale për Ukrainën, duke shprehur mirënjohjen për përpjekjet e vendit tonë në këtë drejtim.
Në kuadër të qëndrimit në Letoni, Osmani realizoi vizitë në Bibliotekën Nacionale në Rigë, me ç’rast iu dorëzuan libra nga letërsia letoneze, ndërkaq Osmani dhuroi libra nga letërsia maqedonase, me qëllim të promovimit të gjuhës maqedonase para lexuesve letonezë, si dhe libra për Nënë Terezën.