Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me Martin Shulc, kryetar i Fondacionit “Fridrih Ebert” dhe ish-kryetar i Parlamentit Evropian.
Në takim u bisedua për aktivitetet e përgjithshme të Fondacionit në rajon dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për situatat aktuale në vend.
Bashkërisht u vlerësua se politikat e realizuara nga kjo Qeveri, të cilat bazohen në postulatet socialdemokrate, kanë rezultuar në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre politikave është realizimi i qëllimit tonë strategjik, anëtarësimi në NATO, si dhe fillimi i bisedimeve me BE-në.
Në takim, Kryeministri Kovaçevski e njoftoi Martin Shulc për sfidat me të cilat po përballet Qeveria në pjesën e procesit të integrimeve evropiane dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme nga Bashkimi Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe për përfitimin më të madh për të cilin luftuam - gjuhë maqedonase plotësisht të mbrojtur dhe me atë edhe identitet maqedonas.
Në takim u bisedua edhe për krizën aktuale ekonomike dhe energjetike dhe tejkalimin e saj, si dhe për klimën politike në vend para fillimit të procedurës parlamentare për ndryshimet kushtetuese.
Kryetari i Fondacionit “Fridrih Ebert”, Martin Schuc, shprehu besimin e tij të fuqishëm se kultivimi i vlerave socialdemokratike dhe investimi në mbrojtjen, respektin dhe sigurinë e qytetarëve është një investim serioz për një të ardhme demokratike dhe të begatë. Ai theksoi rëndësinë e ekzistencës së një platforme të fuqishme socialdemokratike në rajon që do të garantojë bashkimin rreth vlerave të vërteta demokratike.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi fondacionin “Fridrih Ebert” për kontributin në integrimet evropiane, avancimin e dialogut politik të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu besimin se me punë të vazhdueshme dhe të përkushtuar dhe marrjen e vendimeve të guximshme do të sigurohet një e ardhme më e sigurt.