Kryeministri Dimitar Kovacevski, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, sot ka zhvilluar takim me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odil Reno-Baso, ku kanë biseduar për aktivitetet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mundësinë e mbështetjes së BERZH-it përmes projekteve të ndryshme investuese në vend në periudhën e ardhshme.
Kryeministri Kovaçevski shprehu falenderime për presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Reno-Baso, për rolin aktiv të BERZH-it dhe përkushtimin për të mbështetur Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përgatitjen dhe realizimin e projekteve prioritare.
Në fokus të takimit ishte kriza energjetike. Kryeministri Kovaçevski e informoi presidenten e BERZH-it, Reno-Baso, se sjellja e përgjegjshme në kushtet e krizës energjetike është kyçe për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se Qeveria po punon në mënyrë aktive për mbrojtjen e ekonomisë vendase dhe gjendjen financiare të qytetarëve.
“Ne po ndjekim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve dhe po zhvillojmë skenarë të duhur për rezultatet e mundshme. Buxheti është likuid dhe ne reagojmë në përputhje me mjetet buxhetore për të kapërcyer situatat e krizës. Kemi edhe instrumente që mund t'i aktivizojmë për t'iu përshtatur goditjeve më të mëdha në treg”, theksoi kryeministri Kovaçevski në takimin me presidenten e BERZH-it, Reno-Baso. Kryeministri Kovaçevski e informoi presidenten e BERZH-it, Reno-Basso, për masat që po ndërmerr Qeveria për përballimin e krizës energjetike, siç është lirimi i TVSH-së për energjinë elektrike shtëpiake; kosto më të ulëta për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet; mbështetje financiare për kategoritë vulnerabël të qytetarëve, si dhe mbështetje direkte financiare për kompanitë shtetërore vendase për të siguruar prodhimin vendas të energjisë elektrike.
Në takim u diskutua edhe për mbështetjen e BERZH-it në periudhën e ardhshme, si dhe për procesin e integrimit në BE.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nga viti 1993. Deri më tani, BERZH ka miratuar 167 projekte në vlerë prej 2,504 milionë euro, nga të cilat 86% e mjeteve janë të destinuara për projekte në sektorin publik, ndërsa pjesa tjetër janë projekte në sektorin privat.