Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, prezantoi Propozim-buxhetin për vitin 2023. Kryeministri Kovaçevski theksoi se buxheti i propozuar për Transport dhe Lidhje është zhvilluar me projekte të mëdha infrastrukturore dhe kapitale, që nënkuptojnë nxitje të rritjes ekonomike, bazë për zhvillim të mëtejshëm, që është veçanërisht e rëndësishme në këto kushte të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike.
Në vazhdim ua dërgojmë fjalimin integral të Kryeministrit Kovaçevski:
“Faleminderit për pjesëmarrjen në konferencën e sotme për shtyp, ku së bashku me ministrin Boçvarski do të prezantojmë Propozim-buxhetin për vitin 2023 të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Kur punuam në Propozim-buxhetin për Transport dhe Lidhje për vitin 2023, ne projektuam vizionin tonë për Republikën e Maqedonisë së Veriut të lidhur me rajonin, Evropën dhe mbarë botën.
Për vitin e ardhshëm kemi një buxhet zhvillimor për transport dhe lidhje, me projekte të mëdha infrastrukturore dhe kapitale, që do të thotë nxitje e rritjes ekonomike, bazë për zhvillim të mëtejshëm, që është veçanërisht e rëndësishme në këto kushte të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë.
Propozim-buxheti për Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për vitin 2023 është rreth 324 milionë euro, që është një rritje prej 135% nga ky vit.
Kasa e Buxhetit është krijuar për zbatimin e projekteve të mëdha kapitale si:
-Ndërtim i autostradës së Korridorit 8 dhe Korridorit 10D;
-Ndërtim i hekurudhës së Korridorit 8;
-Ndërtim dhe sanim i rrugëve lokale në komuna;
- Gazifikim;
-Ndërtim dhe rikonstruim i rrjeteve për ujësjellës dhe kanalizime;
-Subvencione për linja të reja ajrore, si dhe përmirësim i transportit në pikat kufitare.
Si gjatë pandemisë ashtu edhe tani në kushtet e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë, po punohet intensivisht për ndërtimin dhe rikonstruimin e pjesëve kryesore rrugore në vend. Ky është prioriteti ynë edhe në vitin e ardhshëm 2023. Pjesa më e madhe e fondit buxhetor të transportit dhe lidhjeve, për vitin e ardhshëm, gjegjësisht 308 milionë euro, është dedikuar për realizimin e projekteve kapitale, që është 163% më shumë se sivjet.
Ministri Boçvarski do të prezantojë detajet, unë do të fokusohem në disa projekte kyçe.
Në vitin 2023 vazhdon ndërtimi i autostradave të Korridorit 8, për të cilat janë planifikuar 244 milionë euro. Lidhja dhe bashkëpunimi rajonal është një nga aspektet më të rëndësishme të integrimit në Bashkimin Evropian dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin e ekonomisë sonë. Presim që vitin e ardhshëm të përfundojë ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër dhe tashmë në janar të vitit 2024 qytetarët, të gjithë ne, do të mund të lëvizim në atë autostradë. Vazhdon në mënyrë aktive ndërtimi i autostradës Rankovc-Kriva Pallankë, korsia e tretë e rrugës Pallankë-Deve Bair. Në kuadër të këtij korridori, vitin e ardhshëm duhet të fillojë ndërtimi i rrugës së shpejtë Qafë Thanë -Strugë-Trebenishtë, Bukojçan-Gostivar, Gostivar-Tetovë dhe Korridori 10D Prilep-Manastir. Aktivisht do të punohet edhe në ndërtimin e autostradës Gradsko-Drenovë, Drenovë-Farish, Shkup-Bllacë faza e parë, Manastir-Mexhitilija dhe autostrada tjera, për të cilat ministri do të flasë më shumë.
Në kuadër të Korridorit 8, me Propozim-buxhetit për Transport dhe Lidhje, janë planifikuar 33 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës në këtë Korridor. Në fund të tetorit të këtij viti shënuam fillimin e ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8 hekurudhor nëpër Maqedoninë e Veriut – segmenti Kumanovë-Beljakovcë-Kriva Pallankë dhe ndërtimi aktiv vazhdon vitin e ardhshëm 2023. Ky projekt i madh hap rrugë të reja evropiane për transportin hekurudhor, vendos një lidhje rajonale me portet e Burgasit dhe Varnës në Bullgari dhe portin e Durrësit në Shqipëri, i cili është i një rëndësie të jashtëzakonshme për ekonominë tonë, por edhe në përgjithësi për bashkëpunimin e rajoni në tërësi si dhe bashkëpunimi i rajonit me rajonet e tjera në Evropë.
Të gjithë ishim dëshmitarë të nisjes së punimeve për portin e ri Durrës-Porto Romano, ku edhe në bazë të konkluzave të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, u ra dakord që të ketë një draj port, pra një draj porti në Strugë, deri në të cilin mjetet e transportit do të mund të vijnë pikërisht përgjatë këtij Korridori të ri 8 i cili fillon të ndërtohet vitin e ardhshëm.
Investimet në infrastrukturën bashkëkohore rrugore janë të rëndësishme për qytetarët dhe kompanitë, por edhe për investitorët. Nga njëra anë nënkuptojnë një lidhje të sigurt dhe bashkëkohore mes qyteteve dhe fshatrave dhe nga ana tjetër krijohen vende të reja pune e më të paguara me investime të tilla. Qeveria në pesë vitet e fundit ka ndërtuar rrugë me gjatësi prej rreth 1300 kilometra, që është dy herë më shumë se në dhjetë vitet e kaluara, kur janë ndërtuar vetëm rreth 650 kilometra.
Në vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me ritmet e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve lokale nëpër komuna, për të cilat janë siguruar mbi 6 milionë euro, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës.
Situata gjeostrategjike, lufta në Ukrainë tregoi se është e paarsyeshme të mbështetesh vetëm në një burim energjie, që ndodhi dekada më parë. Për ne si Qeveri, ndërtimi i sistemit nacional të gazsjellësit, lidhja e tij me sistemet rajonale të gazsjellësit, si dhe ndërtimi i sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror është një ndër prioritetet. Këtu, fillimisht, do të përmend se në mbledhjen e fundit të Qeverisë gjatë kësaj jave, përcaktuam Propozimin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2023, me të cilin me propozim të Ministrisë për Transport dhe Lidhje e miratuam Informacionin për sjelljen e Planit urbanistik për gazsjellësin interkonjektues Republika e Maqedonisë së Veriu – Greqi. Ky do të jetë gazsjellës që e ndërlidh sistemin për transmetimin e gazit të Maqedonisë së Veriut me Sistemin nacional grek për transmetimin e gazit natyror në Nea Mesimvria.
Në Propozim-buxhetin e ri janë paraparë 1,7 milionë euro për realizimin e gazifikimit, përkatësisht për përfundimin e gazsjellësit kryesor Shkup-Tetovë-Gostivar. Sivjet, siç ju kemi njoftuar tashmë, ka përfunduar ndërtimi i gazsjellësit Negotinë-Kavadar-Prilep-
Të gjithë qytetarët, në çdo komunë, meritojnë kushte më të mira, bashkëkohore të jetesës, që përfshijnë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe mjedis të pastër. Rreth 12.7 milionë euro janë planifikuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit, me qëllim përforcimin e rrjetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Mbi një milion euro për vitin e ardhshëm janë planifikuar për subvencione për kompanitë ajrore. Në këtë mënyrë mundësojmë lidhjen me shtete të tjera në Evropë dhe botë, dhe me këtë mundësi të reja, të hapura për zhvillim ekonomik, promovim të turizmit, njohje dhe bashkëpunim mes qytetarëve dhe sektorit të biznesit nga vendi ynë dhe vendet e tjera. Tashmë është planifikuar një thirrje publike për dhënien e mbështetjes financiare për kompanitë ajrore që do të prezantojnë destinacione të reja ajrore për qytetarët, e cila pres të shpallet javën e ardhshme.
Investimi në infrastrukturë është një investim i përhershëm në përmirësimin e kushteve të jetesës, rritjes ekonomike dhe standardeve të jetesës dhe ky është prioriteti ynë. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut meritojnë të jetojnë të lidhur me Evropën dhe sipas standardeve evropiane, dhe kjo Qeveri e mundëson përmes procesit të qartë të integrimit evropian, të cilin ne punojmë për mbrojtjen e interesave nacionale.
Në të konferencën e parë, nga kjo seri e konferencave për shtyp, tregova se e kam të qartë pse ka mosbesim për realizimin dinamik të investimeve si këto që po flasim sot. Por do të them sërish se ky është Buxheti im i parë si Kryeministër, ku kam kontroll mbi zbatimin dhe do të bëj maksimumin dhe do të insistoj që ky Buxhet të ketë rezultate. Kur ke një vizion dhe punë të palodhur, nuk ka qëllim të paarritshëm”.