Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në një konferencë për shtyp me zëvendëskryetarin e Qeverisë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, folën për rrjedhën e procesit të skriningut për integrimet në BE.
Kryeministri theksoi se procesi i skriningut po zhvillohet me ritmet e pritura dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së dinamikës gjatë gjithë procesit të negociatave me BE-në.
“Deri më tani kemi prezantime cilësore në të gjithë kapitujt dhe komentet nga Komisioni Evropian për prezantimet e deritanishme janë të shkëlqyera. Kemi një përqindje të mirë të përputhshmërisë në kuadrin ligjor, në miratimin e ligjeve, por sigurisht që çështjet në të cilat duhet të fokusohemi në periudhën e ardhshme mbeten të hapura, konkretisht reforma në administratën publike, mekanizmat për sundimin e së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit. Këto tema do të jenë të hapura gjatë gjithë procesit të negociatave dhe prandaj pres që çdo institucion të jetë në lartësinë e detyrës dhe t'i qaset këtij procesi me përgjegjësi. Ky është një proces historik që çdo vend kalon vetëm një herë. Legjislacioni ynë është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe kjo është mbi 45%. Maqedonia e Veriut, sipas analizave standarde, është më e avancuar në disa kapituj sesa vendet që kanë negociuar me BE-në për 10 vjet. Ajo shkallë e lartë e përputhshmërisë me rregulloret dhe standardet evropiane është e dukshme dhe e njohur nga KE, për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë”, tha Kovaçevski.
Kryetari i Qeverisë theksoi se fokusi i Qeverisë është zbatimi i agjendës së reformave dhe se qytetarët fillojnë të ndjejnë përfitimet e negociatave me BE-në.
Skriningu dypalësh do të sjellë më shumë shtysë për reformat në vend. Është një pjesë e rëndësishme e procesit dhe konfirmim se Maqedonia e Veriut po ecën në drejtimin e duhur.
Qytetarët kanë nevojë për jetë cilësore, siguri dhe stabilitet. Dhe këtu nuk ka asgjë të pazakontë, asgjë të tepruar, këto janë tema të diskutimit të të gjitha shoqërive të pjekura evropiane me institucione të forta dhe efikase. Prandaj është e nevojshme të përshpejtohet transformimi i shoqërisë që ka sjellë procesi i negociatave me BE-në.
Procesi i anëtarësimit në BE është kompleks, por kërkon vazhdimësi, vullnet të fortë, ndaj le ta bëjmë atë, jo për hir të Bashkimit Evropian, le ta bëjmë për hir të qytetarëve tanë. Maqedonia e Veriut ka mbështetje të plotë nga Komisioni Evropian për përshpejtimin e ritmit të negociatave të anëtarësimit. Kemi mbështetje të fortë nga institucionet evropiane, nga shtetet anëtare, nga përfaqësuesit e lartë evropianë.
Prania e tyre këtu dhe respektimi i vendit dhe popullit tonë është një mesazh i qartë se ne kemi miq dhe aleatë në BE dhe se ata e shohin Maqedoninë e Veriut si një shtet të ardhshëm anëtar të Unionit. Tani gjithçka është në dorën tonë dhe nga të gjithë ne varet jeta më e mirë e qytetarëve, e ardhmja evropiane e vendit”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri bëri thirrje për unitet, duke theksuar se arritja e qëllimeve të përbashkëta kombëtare dhe shoqërore duhet të jetë përpara dallimeve politike dhe ideologjike.
“Duhet të marrim disa vendime për hir të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, e ardhmja e tyre është përpara të gjitha dallimeve politike dhe ideologjike”, tha Kovaçevski.
Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq foli për rrjedhën e procesit të skriningut
“Komentet fillestare nga të gjitha palët e përfshira janë pozitive, ndërsa vlerësimin dhe indikacionet kyçe do t’i marrim raportet e skriningut, të cilat presim të përgatiten sa më shpejt që është e mundshme nga Komisioni Evropian dhe të miratohen nga Këshilli.
Për klasterin 1, të cilin e përfunduam pak më tepër se një muaj më parë, do të kërkoj që Raporti i skriningut të na dorëzohet në 3-4 muajve të ardhshëm, pasi që kjo do të na ndihmojë në përgatitjen e udhërrëfyesve për sundimin e së drejtës, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Në mënyrë shtesë, në kuadër të Udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës, do të duhet të përgatisim një Plan Veprimi për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve me masa për mosdiskriminim, luftë kundër gjuhës së urrejtjes dhe edukimit. Këto janë tema nëpër të cilat kanë kaluar dhe nëpër të cilat janë përmirësuar të gjitha vendet anëtare të BE-së”, tha Mariçiq.
Mariçiq shpjegoi se me skriningun fitohet një paraqitje e saktë, analitike të situatës në lidhje me harmonizimin e së drejtës maqedonase me atë evropiane.
“I konstatojmë mangësitë dhe përcaktojmë detyrat në vijim rreth të cilave do të duhet të punojmë për të arritur standardet evropiane, në afatin e duhur, në përputhje me përcaktimin për anëtarësim në BE në vitin 2030. Kjo është pjesa e integrimit europian që praktikisht i “shtyn” reformat në vend, deri në përgatitjen e plotë të vendit për anëtarësim në Union.
Jam veçanërisht krenar dhe i kënaqur që me sukses u përgatitëm dhe prezantuam edhe për fushat që për herë të parë janë pjesë e procesit të negociatave, siç janë institucionet funksionale demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Por, gjithashtu ishin po aq të mira edhe prezantimet për kapitujt e tjerë të klasterit të parë”, theksoi Zëvendëskryeministri.