Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, e cila ndodhet për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takimin e dy ministrave u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për dinamikën me të cilën po zhvillohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilat këtë vit shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. U shpreh gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit sektorial, në radhë të parë në shkëmbimin ekonomik, i cili mbetet mbrapa nivelit të marrëdhënieve shumë të mira politike.
Osmani e uroi Bosnjë dhe Hercegovinën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar se ky është sinjal pozitiv në kuadër të rrumbullakimit të së ardhmes evropiane të rajonit.
“Të dy vendet kanë aspiratë të qartë për anëtarësim në BE, dhe vitin e kaluar arritëm progres serioz –ne përmes fillimit të negociatave për anëtarësim dhe Bosnja e Hercegovina përmes marrjes së statusit të vendit kandidat. Me këtë vendim dërgohet një sinjal pozitiv për perspektivë kredibile evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj e njëjta është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilitetin, prosperitetin dhe të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, theksoi Osmani, duke shprehur gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për ta ndihmuar Bosnjë dhe Hercegovinën në aspiratat e saj euroatlantike dhe reformat që duhet t’i zbatojë.
Ministri tha se statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE për Bosnjë-Hercegovinën është një mesazh i qartë edhe në lidhje me tendencat secesioniste, të cilat kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Shtoi se si Kryesuese aktuale e SHBA- Karta e Adriatikut (A5), Maqedonia e Veriut po punon për një koncept të ri strategjik të Kartës, i cili duhet të forcojë rolin e A5-së në rajon, por edhe t'i përshtatë qëllimet dhe misionet e saj në përputhje me sfidat e reja të sigurisë. Njëherit, Ministrat e të dyja vendet rikonfirmuan politikën e dyerve të hapura të A5 dhe zgjerimin e ardhshëm me shtete të reja anëtare.
Osmani e informoi Ministren Turkoviq rreth prioriteteve të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
“Si Kryesues që vjen nga rajoni, fokus i veçantë në punën tonë do të jenë misionet në terren të OSBE-së në Evropën Juglindore. Njëkohësisht, vëmendje e madhe do t'i kushtohet punës së misionit të OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë”, shtoi ai.
Ministrat diskutuan gjithashtu nevojën për një koordinim të zgjeruar, i cili do të mundësojë një përgjigje më adekuate ndaj sfidave moderne, siç është kriza energjetike, ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.