Kovaçevski: Promovimi dhe mbështetja publike e dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave është krejtësisht e papranueshme!

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve për rastin e gazetarit Dragan Pavloviq Llatas, tha se është i shqetësuar dhe i tmerruar nga promovimi publik i dhunës seksuale dhe diskriminimit.

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:

“Për këtë rast këtu nga foltorja e Kuvendit dua të flas në radhë të parë si qytetar, si burrë, si baba dhe më pas si kryeministër.

Kam dëgjuar për këtë disa ditë më parë dhe që atë ditë e deri më sot, sa herë që mendoj për rastin ndihem i neveritur.

Kjo sjellje, jo v etëm që është e turpshme për burrat, dhe jo vetëm këtu, por në botë, kjo është e turpshme për të gjithë njerëzit, për çdo qenie njerëzore.

Promovimi dhe mbështetja publike e dhunës seksuale dhe abuzimit seksual është krejtësisht e papranueshme!

Ne nuk duhet të tolerojmë një trajtim të tillë poshtërues, nënçmues, degradues ndaj gruas. Çdo sjellje e tillë duhet të dënohet publikisht dhe të dërgojë një mesazh të qartë se dhuna ndaj grave është e papranueshme.

Është shqetësuese që jo vetëm dëgjuam për një akt dhune seksuale, por edhe që dëshmuam sesi bashkëbiseduesit të lumtur dhe pa asnjë grimë shqetësimi për ndërgjegjen dhe vetëdijen se sa dëm shkaktojnë, qeshen duke diskutuar.

Dhe dënimi i fuqishëm publik ishte plotësisht në vend. Por në të njëjtën kohë mendoj se nuk mjafton. Prandaj u bëj thirrje institucioneve që në të vërtetë u përgjigjën brenda kompetencave të tyre, ta çojnë këtë çështje deri në fund. Për të treguar se megjithatë kemi sundim të së drejtës në Maqedoninë e Veriut.

Njëkohësisht i bëj thirrje Shoqatës së Gazetarëve që të distancohen nga kolegët që përhapin ksenofobinë dhe diskriminimin, sepse njerëz të tillë nuk janë të denjë të shkruajnë dhe të flasin para publikut.

I bëj thirrje edhe VMRO-DPMNE-së, i bëj thirrje z. Mickovski  ta gjejë dhe ta grisë librezën partiake të secilit anëtar të tyre që me vetiniciativë vendos të shpërndajë narrativ me të cilin tani gjeneratat e reja fëmijët do të mendojnë që është në rregull të flitet në atë mënyrë për dhunën seksuale dhe të sillen në mënyrë misogjene dhe diskriminuese. Dhe mua personalisht më tmerron fakti që nuk e ka bërë deri tani, por këtë çështje nuk dua ta kthej në çështje politike.

Liria e fjalës në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e garantuar me Kushtetutë, por kjo nuk do të thotë se kushdo mund të shkelë të drejtat e njeriut, të përhapë urrejtje, misogjeni, ide ksenofobike dhe diskriminuese.

Liria e fjalës nënkupton njëkohësisht përgjegjësinë dhe ekzistencën e një ndërgjegjësimi të lartë për parimet dhe liritë demokratike, të drejtat dhe detyrimet në një shoqëri të hapur. Kur liria e fjalës kthen apo provokon akte kriminale apo çfarëdo lloj shkeljeje të të drejtave civile dhe të njeriut, atëherë ajo nuk është liri por agresion dhe si e tillë duhet trajtuar.

Ndoshta disa prej jush do të mendojnë se gjërat që kam thënë tani janë shumë të forta. Por më lejoni t'ju kujtoj se unë kam një vajzë 17-vjeçare në shtëpi dhe shumica e miqve dhe të njohurve të gjeneratës sime kanë vajza të asaj moshe, por edhe qytetarë të tjerë. Më vjen edhe turp edhe inat kur dëgjoj gjëra të tilla. Më vjen turp dhe zemërim që në shekullin e 21-të, në vitin 2023, individë të caktuar bëjnë shaka për dhunën seksuale me lehtësi të pabesueshme.

Dua të kërkoj falje, por shumë më shqetësojnë këto lloj gjërash, prandaj, nëse është e mundur, sipas procedurave në Kuvend, duhet të bëjmë një pushim, sepse tani, pas kësaj, nuk mund të vazhdoj t'u përgjigjem pyetjeve të deputetëve”.